De Biazi: Kualifikohemi dhe rinovoj kontratën

Vendimi i fundit i CAS-it ia ka shtuar optimizmin që ta shohë Kombëtaren Shqiptare më afër kualifikimit në Evropian. De Biazi e pranon se do t’i pëlqente ta vazhdojë punën në Shqipëri, por tregon se gjithçka varet nga kualifikimi është rrëfyer strategu italian për gazetën “Zëri”.

Trajneri italian, tregon se gjasat e Shqipërisë për t’u kualifikuar në “Euro 2016” janë shtuar, pas këtij vendimi, por këmbëngul se edhe pa këtë fitore, skuadra e tij po shkonte në rrugë të mbarë.

“Pas këtij vendimi, kemi më shumë mundësi për kualifikim, sigurisht. Por, edhe më parë i kishim mundësitë tona për t’u kualifikuar, sepse nuk duhet harruar se ne, sot për sot e kemi një ndeshje më pak të zhvilluar në krahasim me ekipet tjera. Të tjerët i kanë bërë pesë ndeshje, ndërsa ne vetëm katër. Kështu që, ne na mbesin edhe katër ndeshje për t’i luajtur dhe i kemi mundësitë tona. Ato i kishim edhe para se t’i merrnim këto tri pikë”, theksoi De Biasi.

“Sa për qind kemi mundësi të shkojmë në Francë? Nuk mund ta them përqindjen. Ajo që më intereson është që të mbetemi me këmbët në tokë dhe me përulësi t’u qasemi ndeshjeve që na kanë mbetur. Duhet ta japim 100 për qindëshin në aventurën tonë këtu”, vazhdoi trajneri italian.

Ish-trajneri i Udineses tashmë është lidhur ngushtë me shqiptarët. Një pjesë e zemrës së tij flet shqip.
“Nëse presidenti (Duka) dëshiron, unë do të vazhdoj të udhëheq Shqipërinë. Kam një kontratë me Shqipërinë dhe nëse e arrijmë kualifikimin në Evropian, automatikisht do të vazhdoj të jem trajner i Shqipërisë”, përfundoi De Biasi.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT