DASH: Kosova – tranzit i narkotikëve

    Departamenti amerikan i Shtetit vlerëson se Kosova mbetet vend tranzit për drogat që transportohen drejt Evropës, por nuk është burim i rëndësishëm i narkotikëve të paligjshëm.
    Në raportin e përvitshëm për luftën kundër drogave në botë, që iu dorëzua të mërkurën Kongresit amerikan, thuhet se Kosova bashkërendon përpjekjet e disa agjencive për luftë kundër trafikimit të narkotikëve dhe është duke zbatuar strategjinë kombëtare kundër drogave dhe planin veprues pesë vjeçar që synon zvogëlimin e ofertave dhe kërkesave bashkërendimin e brendshëm dhe atë me partnerët ndërkombëtarë.
    Në raport thuhet se në periudhën ndërmjet janarit dhe shtatorit të vitit 2014, autoritetet e Kosovës, kanë konfiskuar 672 kilogram marihuanë, 21 kilogram drogë të tipit kokainë dhe më pak se dy kilogram të tipit heroin. Këto të dhëna dëshmojnë shtimin e konfiskimeve të marihuanës dhe kokainës nga viti 2013, sikundër edhe rënie të konfiskimit të heroinës.
    Policia ka konfiskuar mbi 5 mijë fara të canabisit dhe mbi 3 mijë e 700 bimë të marihuanës.
    Në raport thuhet se faktorët negative që ndikojnë në luftën e Kosovës kundër trafikimit të narkotikëve janë pozita e saj gjeografike bashkë me rrugët tradicionale të kontrabandës; integrimi jo i plotë i komunave veriore; ekonomia e varfër; mosnjohja nga disa vende të rajonit dhe sistemi jo i frytshëm I menaxhimit te kufirit.
    Departamenti i Shtetit thekson se nuk ka raporte gjithëpërfshirëse që vlerësojnë përdorimin e drogave në Kosovë. Gjykuar nga informacionet në dispozicion, shumica e përdoruesve janë meshkuj dhe marihuana është zgjedhja e tyre.
    Për të zvogëluar përdorimin e drogave, ministritë e arsimit dhe shëndetësisë organizojnë programe edukative. Oficerë të policisë mësojnë nxënësit mbi rreziqet nga drogat, ndërsa organizatat joqeveritare ndihmojnë nëpërmjet edukimit dhe trajtimit.
    Vlerësimi i ndikimit të korrupsionit në trafikimin e narkotikëve në Kosovë, është i vështirë. Ligjet ndalojnë një gjë të tillë, por ka dyshime se drogat lëvizin përtej kufijve të Kosovës, ndonjëherë me pajtimin e heshtur të zyrtarëve.
    Raporti thekson se meqë Kosova nuk është ende anëtare e Kombeve të Bashkuara, është e përshirë vetëm në një pjesë konventave ndërkombëtare dhe protokolleve, apo e marrëveshjeve dypalëshe për luftë kundër drogave. Kosova bashkëpunon dhe shkëmben informata me fqinjët nëpërmjet takimeve joformale dypalëshe apo shumëpalëshe.
    Në raport thuhet se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të ndërtojnë dhe forcojnë marrëdhëniet me policinë e Kosovës duke ofruar ndihmë teknike dhe aftësim nëpërmjet programeve amerikane të ndihmës. Kosova ka filluar të negociojë një marrëveshje ekstradimi me Shtetet e Bashkuara në vitin 2014.