Darijo Srna varros babanë, por njihuni me historinë mahnitëse jetësore të Uzeir Srnas (Foto)

Pas ndeshjes kundër Turqisë, Darijo Srna mësoi se i kishte vdekur babai. Kapiteni i Kroacisë menjëherë u nis për në Metkovic, ku varroset Uzeir Srna.

Mediat kroate kanë publikuar një histori shumë interesante për jetën e babait të futbollistit, për të cilin ka shkruar madje edhe The Guardian. Është thuajse e pabesueshme që përkundër të gjithave që kishte përjetuar në jetë, ai e arriti pleqërinë dhe ndihmoi në krijimin e njërit prej futbollistëve më të mirë kroatë.

Uzeir Srna ka lindur në Gornji Stopic, një fshat në Bosnjën lindore, një vit para fillimit të Luftës së Dytë Botërore. Pas fillimit të luftës dhe hyrjes së çetnikëve në fshat, familja e tij dhe bashkëfshatarët tjerë, iknin kohë pas kohe dhe ktheheshin në shtëpi.

uzei

Duke menduar se më e keqja kishte kaluar, në vitin 1941, familja e tij ishte kthyer në fshat. Mirëpo, gjatë natës kishin hyrë çetnikët dhe babai i tij kishte arritur ta merrte Uzeirin dhe vëllanë e tij, Safet, që ishte më i rritur dhe kishin ikur në mal. Por, aty kishte mbetur nëna e tij shtatzënë, të cilën e kishin djegur të gjallë.

Në një kamp në Bosanski Samac, Uzeiri si trevjeçar nga kaosi i krijuar ishte ndarë nga babai i tij duke shkuar në Sarajevë dhe pastaj e kanë dërguar në Slloveni dhe nuk është ditur për fatin e tij. Atij i ishte ndërruar emri në Mirko Kelenc, derisa nuk e dinte se ku i ishin varrosur prindërit.

Vëllai i tij i madh, Safeti, kishte filluar ta kërkonte Uzeirin dhe pas disa muajsh kërkime ka arritur në Slloveni te familja që e kishte djaloshin me emrin Mirko (që në fakt ishte Uzeiri). Pas një kohe Safeti arriti ta bindte familjen që t’ia jepte vëllanë e tij dhe së bashku u kthyen në Bosanski Samac. Jeta pas luftës ishte tejet e vështirë për dy vëllezërit, të cilët nuk kishin as çfarë të hanë. Ai mësoi zanatin e bukëpjekësit dhe u zhvendos në Sarajevë te kushërinjtë e tij. Atje pas një kohe filloi të punonte si bukëpjekës dhe u angazhua si portier në Sarajevë. Aty nuk qëndroi gjatë dhe u vendos në Beograd për të luajtur si portier. Meqenëse konkurrenca ishte e madhe, ai u kthye në Metkovic, ku u martua me gruan e parë dhe i lindi një djalë. Pas ndarjes nga gruaja, shkoi në Paris, mirëpo sërish u kthye në Metkovic, ku u martua përsëri dhe i lindën dy djem, Igor dhe Darijo.

darijo

Disa vite punoi si vozitës kamioni, ndërsa një kohë ishte trajner i Neretvas, ku edhe e nisi karrierën Darijo. Të qenit mysliman nuk i ndihmonte djalit të tij në ndërtimin e karrierës si futbollist. Megjithatë, ai filloi të stërvitej te Hajduku i Splitit, ndërsa Uzeiri shkoi në Gjermani për të fituar para për ta ndihmuar të birin. Si 17 vjeçar, Darijo u kërkua nga Milani, me një ofertë në vlerë prej dy milionë markash. Edhe pse iu premtuan para për nënshkrimin e kontratës, Uzeiri i mori vetëm 10 mijë marka dhe finalizimi nuk ndodhi.

Sidoqoftë, në vitin 2003, Darijo Srna shkoi te Shakhtar Donetsku, ku fitonte miliona dhe aktualisht është kapiten i përfaqësueses kroate. Ai i bleu babait Mercedes dhe BMW dhe u kujdes financiarisht për të deri në vdekje. Ai kujdeset edhe për vëllanë e tij, Igor, i cili vuan nga sindroma Down. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT