Emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus siguron pamjet ekskluzive të 59-vjeçarit Përparim Ademi kur hyn në banesën e dy motrave Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, dhe pasi i ka vrarë largohet qetësisht. Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 31 Dhjetor 2020.

Sqarojmë se orari i kamerave të sigurisë ka pasaktësi me 1 orë pasi ndodhi ngjarja.

Ora shënon 10:06 minuta kur Përparim Ademi shfaqet në një prej kamerave rreth 50 metra larg pallatit ku banonin motrat. I veshur me xhup ngjyrë blu dhe me pantallona të zeza, ai ecën qetësisht.

Sikurse duket në pamje, 59-vjeçari ka shkuar me biçikletë. Pranë tij ishte dhe një djalë i ri i cili po e shoqëronte, që sipas informacioneve, është nipi i tij.

Përparim Ademi ka shkuar i armatosur me kallashnikov, të cilin e kishte fshehur në një çantë. Në hyrje të pallatit, ai ka lënë biçikletën e tij.


Kur ka mbërritur përpara derës së banesës ku jetonin Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi, Përparim Ademi është përballur me dy motrat. Në këtë moment, pa u futur ende brenda apartamentit, 59-vjeçari ka shkrepur armën. Dhe kjo vërtetohet nga shenja e plumbit që ka mbetur në derën kryesore të banesës.

Pasi ka hyrë në brendësi, Përparim Ademi qëlloi me breshëri kallashnikovi dy motrat. Zhaneta Metani dhe Kristina Bardhi mbetën të vdekura në vend.

13 minuta më vonë, Përparim Ademi largohet nga e njëjta rrugë. Ai përshkon të njëjtin itinerar, por kësaj radhe pa biçikletë. Nëse do t’i rikthehemi sërish pamjeve të para, do të vëmë re se goma e parë e biçikletës ishte e shfryrë.

Pasi vrau me gjakftohtësi dy motrat, 59-vjeçari largohet qetësisht në këmbë. Me njërën dorë në xhep, Përparim Ademi është filmuar duke u arratisur nga vendngjarja. Rreth 1 orë më vonë, ai u arrestua nga policia pranë shkollës “Vasil Shanto”.