Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se Beogradi është i interesuar të thellojë partneritetin me Aleancën Veriatlantike.
Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ai ka thënë se Serbia ka interest të vendosë marrëdhënie partneriteti me Aleancën Veriatlantike për shkak të pranisë së KFOR-it në Kosovë.
“Ne presim që në periudhën në vijim do të ketë progres të rëndësishëm në çështjet që janë të rëndësishme për ne. NATO është e rëndësishme për ne, për shkak të stabilitetit në rajon, përkatësisht për shkak të pranisë së KFOR-it”, ka deklaruar Daçiq për agjencinë serbe të lajmeve, Tanjug.
Sipas tij, vitin e kaluar, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, NATO kishte garantuar se forcat e armatosura të Kosovës nuk do të vepronin në veri pa lejen e KFOR-it.
“NATO ka garantuar se disa formacione të armatosura të shqiptarëve nuk do të mund të vijnë në veri të Kosovës, pa lejen e NATO-s, përkatësisht të KFOR-it. Prandaj, për ne është me interes të vendosim marrëdhënie partneriteti me NATO-n”, ka theksuar ai.
Kjo le të kuptohet se bëhet fjalë për trupat e FSK-së përkatësisht FAK.
Daçiq ka thënë se marrëdhëniet midis Serbisë e NATO-s kanë ndryshuar shumë në krahasim me 16 vjet më parë.
“Situata tani ka ndryshuar shumë. Para 16 vjetësh ne kemi qenë palë në konflikt. Tani shpresojmë se do të jemi partnerë, duke qenë se kemi interes të përbashkët për ruajtjen e paqes dhe stabiluitetit në rajon”, është shprehur shefi i diplomacisë serbe.
- Advertisement -