Curri shumë afër rinovimit me Tiranen

 

Debatik Curri edhe për një sezon pritet që të vishet bardheblu. Rinovimi nuk do të vonojë, pasi parimisht palët kanë gjetur akordin. Mbrojtësi i Tiranës është takuar mbrëmjen e së premtes me drejtuesit e klubit dhe, nga sa bëhet e ditur, gjithçka po ecën në rrugën e duhur. Biseda ka qenë e shkurtër në fakt, por tejet efikase. Edhe pse nuk mund të flitet ende për firmë, duket se palët kanë gjetur parimisht akordin për të zgjatur marrëveshjen dhe për sezonin e ardhshëm.

E, megjithatë, negociatat do të vazhdojnë dhe e “zeza mbi të bardhë” pritet që të hidhet në ditët në vazhdim, por ajo çka bie në sy është vullneti i të dyja palëve për të mbyllur akordin. Sikundër edhe gazeta ka publikuar më herët, Tirana e do, ndonëse nuk është e gatshme që ta mbajë me të njëjtën kosto si një sezon më parë.

Në kushte të tilla, klubi i ka bërë me dije se do të ketë ulje page. Por edhe vetë futbollisti, duket se është i gatshëm që të sakrifikojë financiarisht, pasi dëshira e tij është që të mbetet pjesë e bardhebluve. Pra, Tiranën dhe Currin i ndan vetëm një firmë.

Nënshkrim që duket se nuk do të vonojë dhe, sipas të gjitha gjasave, lojtari do të jetë i pranishëm këtë të hënë, teksa kryeqytetasit do të nisin edhe përgatitjet e lehta nga Liqeni Artificial. Për llogari të Currit ka shfaqur interes edhe Flamurtari, madje ata e cilësojnë prioritet në merkato. Por më shumë “kredite” për mbrojtësin e Kombëtares ka pikërisht Tirana, pasi mbrojtësi nuk do të largohet nga kryeqyteti./Panorama-sport/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT