Çollaku i fton gjithë deputetët në seancën plenare

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku, i ka ftuar të gjithë deputetët, edhe ata të opozitës, të marrin pjesë sot (e hënë) në seancën plenare, në të cilën do të shqyrtohet Projektligji për Ratifikimin e MSA-së ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Çollaku ka thënë se Marrëveshja e Stabilizim Asociimit me BE-në paraqet hapin e parë dhe më të rëndësishëm të ndërmarrë deri më tani në rrugëtimin e Republikës së Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Në këtë kontest, ai ka thënë se seanca e sotme, gjatë së cilës pritet të ratifikohet kjo marrëveshje, është shumë e rëndësishme për ta çuar procesin përpara, por edhe për porosinë tonë drejt partnerëve tanë evropianë. “Prania e të gjithëve në seancë, në të cilën do të diskutohet MSA-ja, është shumë e rëndësishme, sepse po diskutohet një marrëveshje e rëndësisë së madhe, diçka për të cilën është punuar shumë, njëherësh është një dokument që do të shërbejë si kornizë për marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me bllokun më të rëndësishëm politik dhe ekonomik në botë. Pra, marrëdhënie që do të shpie drejt anëtarësimit të vendit tonë në BE”, ka thënë Çollaku.

Çollaku beson se askush në Kosovë nuk do të bëjë aq gabim të madh saqë të mendojë ta dëmtojë agjendën evropiane. “Kjo marrëveshje ka një rëndësi të madhe për orientimin strategjik, politik dhe ekomomik të vendit në dekadat në vazhdim. Nëpërmjet nënshkrimit të kësaj marrëveshje me ne, BE-ja ka vlerësuar se Kosova tani është e gatshme për t’i marrë përsipër detyrimet dhe t’u bëjë reformat e nevojshme për t’i përmbushur kriteret e anëtarësimit në BE”, ka deklaruar ministri Çollaku.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT