Çmimet e naftës në rritje

Çmimet e naftës u rritën, ndërsa Arabia Saudite dhe Irani firmosën marrëveshjen në takimin e OPEC-ut në Vjenë

Dy vite pasi Arabia Saudite bindi anëtarët e tjerë të OPEC-ut që të lejojnë forcat e tregut që të vendosin mbi çmimet e naftës, ka realizuar një kthesë spektakolare. Më 30 nëntor udhëhoqi anëtarët e kartelit të naftës në një zotim për të reduktuar prodhimin botëror të naftës me 1.2 milionë fuçi në ditë, ndërsa vendet jo anëtare të saj si Rusia, me 600 mijë fuçi në ditë. Kjo do të përllogaritej me 2% të prodhimit botëror, shumë më tepër se sa pritej në tregje. Kjo tregoi se OPEC-u nuk ka marrë fund ende, shkruan The Economist. Sasia e propozuar e reduktimit, e para që nga viti 2008, shkaktoi një rritje në çmimin e naftës bruto në rreth 50$ për fuçi. Disa spekulatorë thonë se do të shënjojë fillim e fundit, gjatë të cilit çmimet janë përgjysmuar dhe prodhuesit si Venezuela, janë afër kolapsit. Për sa kohë çmimet do të rikuperohen, Arabia Saudite do të largojë vëmendjen nga fakti se strategjia e saj e mëparshme dëmtoi OPEC-un po aq sa vendet jo anëtare dhe se kjo marrëveshje i dha më shumë hapësirë rivalit të saj, Iranit.

Vazhdimi i gjithë kësaj, gjithsesi, do të varet nga vendet jo anëtare siç është angazhimi i besueshëm i Rusisë për të reduktuar prodhimin në një takim më 9 dhjetor. Po ashtu varet dhe nga shpejtësia me të cilën prodhuesit e naftës do të frenojnë prodhimin, dhe në ëndrrën e Donald Trump për t’u mbështetur te vetja. Që nga fundi i shtatorit, kur OPEC doli me idenë e një marrëveshje për të reduktuar prodhimin, ministri i Naftës i Arabisë Saudite, Khalid al-Falih, dhe homologu i tij iranian, Bijan Zanganeh, ishin të angazhuar në një lojë politike të zjarrtë që kohë pas kohe duket se mund ta hedhë në erë takimin. Çmimet e naftës kanë pësuar luhatje që nga ajo kohë.

Pak ditë para mbledhjes në Vjenë, analistët thoshin se shanset për sukses ishin vetëm 30%. Në rast dështimi, ata ishin të sigurt se çmimet do të binin poshtë 40$ për fuçi dhe që me siguri do të shënonte rrënimin e OPEC-ut. Arabia Saudite, prodhuesi më i madh i OPEC-ut, kuptoi se pragmatizmi ishte opsioni më i mirë. Premtimi për të reduktuar me 4.6% prodhimin është pasqyruar nga shumë anëtarë të tjerë të OPEC-ut, megjithëse Iranit iu bë një favor për të rritur sasinë e prodhimit për t’u rimëkëmbur nga sanksionet lidhur me armatimin bërthamor. Kjo mund të jetë irrituese për Arabinë Saudite, por ka më shumë gjasa që do jetë kjo e fundit që do të përfitojë nga rritja e qëndrueshme e çmimeve, se sa do të humbasë nga reduktimi i prodhimit 486 mijë fuçi në ditë. Për më tepër, plani qeveritar për të modernizuar ekonominë dhe për të privatizuar pjesërisht Saudi Armaco, kompaninë shtetërore të naftës, varet deri në njëfarë mase nga çmimet më të larta të naftës, tha Bhushan Bahree nga IHS Markit.

Ai thotë gjithashtu se mbretëria ka nevojë për të ardhura më të larta nga nafta, në mënyrë që të krijojë një urë për t’u bërë më pak e varur prej saj. OPEC-u argumenton se reduktimi modest tani do të nxisë investimet në burime të reja të naftës së papërpunuar që do të ndalojnë në një të ardhme mungesat e dëmshme të naftës. Reduktimi i prodhimit do të hyjë në fuqi që nga 1 janari i vitit të ardhshëm dhe do të zgjasë të paktën për gjashtë muaj. Gjatë kësaj kohe, tregtarët do të monitorojnë trafikun e cisternave të naftës për t’u siguruar që më pak sasi nafte do të largohet nga portet.

Ata nuk mund të monitorojnë nëse Rusia do të mbajë premtimin se do të reduktojë prodhimin me 300 mijë fuçi në ditë, pasi shumica e prodhimit të saj transportohet me anë të tubacioneve, tha Abhishek Deshpande i bankës Natixis. Por, ai beson se marrëveshja do të pakësojë inventarët botërorë të naftës vitin e ardhshëm. Prodhimi jashtë vendeve të OPEC-ut ka rënë këtë vit, duke nxitur kështu përpjekjet e kartelit. Spekulatorët ishin optimistë që para marrëveshjes. Pierre Andurand nga Andurand Capital tha se marrëveshja e OPEC-ut do ta çojë çmimin e naftës në rreth 60$ për fuçi brenda javës. Ai tha se pjesa më e madhe e spekulatorëve ishin të sigurt se marrëveshja do të dështonte dhe se konsumatorët e mëdhenj të naftës do të vepronin për të mbrojtur veten kundër rritjes së çmimeve të naftës. Linjat ajrore, për shembull, mund të luftonin kundër rritjes së kostove të karburantit.

Nëse çmimet e naftës vazhdojnë që të rriten, prodhuesit amerikanë do të rrisin prodhimin për të mbuluar koston e saj. Kjo nuk do të ndodhë aq shpejt sa mendohet. Mbi të gjitha, ka dyshime se prodhuesit amerikanë e kanë ekzagjeruar aftësinë për të prodhuar naftë me kosto të ulët. /Monitor/