Clinton: Trump ka bërë aleancë me racistët

Kandidatja për presidente të SHBA-ve nga radhët e Partisë Demokratike, Hillary Clinton, ka pohuar se kundërkandidati nga Partia Republikane Donald Trump ka nxitur urrejtjen racore.

Në mitingun parazgjedhor që u mbajt në qytetin Reno në shtetin e Nevadas, Clinton zmadhoi dozën e kritikave kundër politikave të brendshme dhe të jashtme të Trumpit.

Duke pohuar se Trump i ka futur në mesin e politikave të Partisë Republikane simpatizantët e “Ku Klux Klan” (KKK), Neo Nazistët dhe elemente të tjera raciste, Clinton pretendoi se oponenti i saj ka shpërndarë te masat supremacinë e bardhë dhe ka ndihmuar që diskursi radikal ta pushtojë Partinë Republikane.

Ajo më tej pohoi se Trump ka bërë aleancë me racistët dhe idetë raciste, duke shtuar se ai ka vazhduar me fanatizmin e tij në mënyrë konsekuente.

Po ashtu, Clinton ka shprehur qëndrimin se Trump i ka shpërfillur vlerat që e bëjnë Amerikën të madhe dhe se e ka futur vendin në rrezik të madh.

“Një njeri me histori të gjatë të diskriminimit racor, i cili ka bërë punë të errëta me teoritë konspirative të nxjerra nga faqet e gazetave të supermarketeve dhe në faqet e internetit në të cilat ka ndikim, nuk duhet ta udhëheqë qeverinë ose ta komandojë ushtrinë tonë”, – ka thënë Clinton.

Ndërkohë, agjencia e lajmeve AP, në lajmin e një dite më parë që e mbështeste në regjistrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit, bëri të ditur se të paktën 85 nga 154 persona nga sektori privat që janë takuar ose kanë zhvilluar biseda telefonike me Clinton, kanë bërë donacione për Fondacionin Clinton apo janë zotuar për kontribut në programet e saj ndërkombëtare.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT