Cigaret elektrike, shqetësim i madh

Shefi i Shëndetit Publik në SHBA, Vivek Murthy, e ka quajtur përdorin e cigareve elektrike (E-cigareve) nga fëmijët si shqetësim të madh publik e shëndetësor.

Në një raport që do të publikohet sot, Murthy ka rekomanduar që të ketë më shumë rregulla dhe taksa për cigaret elektrike, transmeton Express.

Në raportin e vet, ai pajtohet se cigaret elektrike janë më pak të dëmshme se cigaret aktuale, por shqetësimi i tij është se mjeti i cigareve elektrike i ekspozon fëmijët ndaj rrezikut të nikotinës.

Cigaret elektrike janë mjete që e shndërrojnë lëngun e nikotinës në avull.

Për shkak se ato, në fakt, nuk djegin asnjë material, por i lënë përdoruesit thjesht duke thithur nikotinën në tym, shihen nga disa ekspertë më të preferueshme se thithja e cigares, dhe nga disa, si një mënyrë për ta lënë cigaren.

Raporti i doktor Murthy thotë se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme se cigaret elektrike funksionojnë në atë mënyrë.

Për shumë të rinj, thotë ai, përdorimi i cigares elektrike është i lidhur fuqishëm me përdorimin e produkteve të tjera të duhanit.