“Çfarë do të ndodhte pasi të hidheshin bombat – sulmi bërthamor që nuk ndodhi kurrë!”

Çfarë do të ndodhte pasi të hidheshin bombat – sulmi bërthamor që nuk ndodhi kurrë! (Foto)

Më shumë se 300 megaton me bomba bërthamore kanë shpërthyer mbi Britaninë e Madhe në një hapësirë prej më shumë se 16 orësh shkëmbimi.

Shumë qytete janë rrafshuar- miliona kanë vdekur nga shpërthimet, miliona kanë mbijetuar dhe janë të sëmurë nga ndotja radioaktive.

Në bunkerë janë 12 komisionerë rajonalë dhe stafi i tyre, gati për të dalë dhe për të marrë përsipër detyrën.

Si do ia bëjnë? Si do rikthejnë rendin dhe si do nisin rindërtimin?

Ky ishte qëllimi i një stërvitje të menduar për t’u realizuar në vitin 1982, sipas dokumenteve të publikuara së fundmi nga Arkivat Kombëtare të Ministrisë së Brendshme.

E quajtur Rigjenerimi, një ushtrim i tillë ishte një lojë luftash, që mbulonte muajt e parë pas një përplasje bërthamore në Luftën e Tretë Botërore.

Fokusohej në një rajon qendror dhe pesë kontetë e Derbyshire, Leicestershire, Lincolnshire, Nottinghamshire dhe South Yorkshire.

Zyrtarët imagjinonin se çfarë do të ndodhte pasi të hidheshin bombat.

Ata e dinin se cilat do ishin zonat më të goditura dhe po parashikonin efektin që do kishte një sulm i tillë në vend.

Në epiqendër të bombave do kishte një dëm të paimagjinueshëm dhe në unaza do kishte pasoja të rënda.

Këshilltarët shkencorë përllogarisnin se 50 për qind e vendit do ishte i paprekur, edhe pse të mbijetuarit mund të prekeshin nga ndotja radioaktive.

Duke planifikuar këtë lojë luftash, një nëpunëse civile tentoi që të imagjinonte se si do ruhej ligji dhe rendi.

Jane Hogg, një oficere shkencore pranë Ministrisë së Brendshme, parashikonte se policia do ishte e zënë duke ndihmuar njerëzit në zonat e goditura nga katastrofa dhe sugjeronte se një tjetër grup mund të krijohej përmes rekrutimeve për të ruajtur rendin.

“Është përgjithësisht e pranuar se rreth 1 përqind e popullsisë janë psikopatë,” shkruante ajo.

“Këta janë njerëz që mund të pritet që të mos tregojnë ndonjë efekt psikologjik në komunitetet që kanë vuajtur nga humbjet e rënda”.

Hogg sugjeronte që psikopatët mund të ishin shumë të mirë në kohë krize, pasi “ata nuk shfaqin ndjenja ndaj të tjerëve, as kod moral dhe tentojnë që të jenë shumë inteligjentë dhe logjikë”.

Por shefat e saj nuk ishin të bindur.

Një prej tyre i hoqi vizën: “Nuk jam i sigurt nëse më ke bindur. Do e shihja si të rrezikshme rekrutimin e tyre në një organizatë pas sulmit”.

Opsioni i psikopatëve nuk u fut në lojë, që u zhvillua nga një njësit operacional vendor i qeverisë.

Stërvitja parashikoi një seri me ngjarje vendore, ku të përfshirët do të reagonin ndërkohë që lufta afrohej dhe më pas kur të binin bombat.

“Lojtarët”, që do ishin nëpunës civilë, oficerë të policisë, shërbimi zjarrfikës dhe ushtarë, do merrnin disa opsione, ndërkohë që skenari zhvillohej.

Për shembull, ndërkohë që sulmet vazhdonin, në lojë imagjinohej që shefi ekzekutiv në Yorkshire do bënte deklarata pesimiste në lidhje me mbijetesën nga lufta.

15 mijë familje largoheshin nga zona e tij e vendoseshin në një kamp pranë Derbyshire, në tenda dhe karvanë. Çfarë duhet bërë, shtrohej pyetja.

Pas një shkëmbimi të shpejtë dhe vdekjeprurës, Rigjenerimi imagjinonte që zyrat qendrore ishin dëmtuar rëndë, bunkeri në Leicester ishte shkatërruar, zyrat qendrore në Lincoln kishin humbur. Vetë Derbyshire dhe zyrat kryesore në Matlock nuk ishin prekur.

Nëse ky skenar u duket familjar, kjo vjen për shkak se është pranë skenarit të telefilmit të BBC “Fijet”, fitues i disa çmimeve, që u transmetua në vitin 1984.

Telefilmi ndjek fatin e dy familjeve në Yorkshire, përpara dhe pas luftës bërthamore, përcjell mapo.al.

I vlerësuar në atë kohë për portretizimin e detajuar dhe shokues të ndikimit të sulmeve bërthamore, skenari ngjan pak a shumë me stërvitjen Rigjenerimi.

Producenti i kësaj drame, Mick Jackson, e dinte këtë gjë dhe dosjet tregojnë se ai kishte bërë një kërkesë formale për ta mbikëqyrur stërvitjen. Por kërkesa e tij ishte refuzuar.

Çrregullimi dhe trazirat e portretizuara tek “Fijet” tregojnë se si loja i imagjinonte ditët dhe javët pas sulmeve.

Në skenë dalin grupe vigjilentësh, duke sfiduar autoritetet. Brenda bunkerëve morali nis të bjerë. Disa industri mbijetojnë, por kush do i drejtojë dhe si? Administrata është e dobët.

Në maj të vitit 1982, në qendrën e trajnimit Easingwold në Yorkshire, disa zyrtarë tentuan që të luajnë këtë lojë. Nuk shkoi dhe aq mirë. Një lojtar tha se loja nuk shkoi aq larg- mendohej se do projektonte atë që do ndodhte 18 muaj pas sulmeve bërthamore, por u shpenzua shumë kohë me periudhën përpara sulmeve.

Zyrtarët u kthyen në fazën përgatitore, por zbuluan se kompjuteri i tyre ishte korruptuar. Ky dukej se ishte fundi i stërvitjes.

Lordi Hennessy, autor i “Shtetit sekret”, thotë se nuk ka parë kurrë një stërvitje të tillë të mbrojtjes civile- ku sugjerohet që psikopatët të rekrutohen për të ruajtur rendin pas një sulmi bërthamor. Ai tha se kjo është e jashtëzakonshme dhe e çuditshme, edhe pse theksoi elementin se ajo punë u vulos shpejt.

Ai ka parë shumë dokumente sekrete ku planifikohej lufta bërthamore.

“Ata gjithmonë më lënë pa frymë,” thotë ai. “Sensi i nëpunësve civilë për të parë gjithmonë e më thellë në abis, duke imagjinuar të paimagjinueshmen”.

20 vjet pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, shumica e këtij planifikimi sekret është bërë publike.

Por Lord Hennessy thotë: “Ne nuk kemi akoma planin e detajuar të përdorimit të Jahtit Mbretëror si një bunker për Mbretëreshën”.

Në rast të një lufte bërthamore, thotë ai, jahti do “fshihej” nëpër liqenet e Skocisë, për të mos u kapur nga radarët sovjetikë, me Mbretëreshën, Princin Filip dhe Ministrin e Brendshëm në bord.

“Por nuk mund të kap telefonin dhe të pyes Mbretëreshën: A mund të kem dosjen tuaj të Armagedonit zonjë. Kjo do ishte një sjellje shumë e keqe”

- Advertisement -

MË TË FUNDIT