Në fillim të vitit të kaluar qeveria belge e ndaloi një test 5G për shkak të shqetësimeve rreth rrezatimit. Zvicra po i monitoron rreziqet e paraqitura nga rrjeti 5G, shkruan Koha Ditore.

Një anëtar i parlamentit në Mbretërinë e Bashkuar e paralajmëroi parlamentin për “pasojat e paqëllimshme” të azhurnimit në 5G. Frikat nga 5G janë bërë konvencionale. Por burimi i tyre nuk është fare konvencional. Nëse gërmoni nëpër pretendimet prapa këtyre frikave, do t’i zbuloni disa teori vërtetë të egra të konspiracionit. Disa pretendojnë se 5G është në të njëjtën gjatësi valore si armët.

Ose se është duke u përdorur nga ushtria për ta thyer shpirtin e armikut. Njerëzit kanë argumentuar se gjatësitë valore më të vogla të përdorura në çdo gjeneratë të re të infrastrukturës së telefonisë mobile nuk janë testuar kurrë, dhe për këtë arsye ne jemi kafshë eksperimentale për këtë eksperiment teknologjik. Në përgjithësi, pretendimet për dëmet e 5G nuk janë larg nga konspiracionet rreth bretkosave gay. Lajmi i mirë është se asnjë nga ato pretendime nuk është i vërtetë.

“Gjatësitë valore që i përdor dhe do t’i përdor 5G janë të gjitha plotësisht të sigurta dhe kanë qenë në hulumtime dhe testime për dekada të tëra,” shpjegoi kohët e fundit për “The Guardian”, Howard Jones, kreu i komunikimeve të teknologjisë në ofruesin e rrjetit mobil EE në Mbretërinë e Bashkuar. “Është çorientuese të thuash se është një teknologji e re dhe për këtë arsye nuk është testuar.” Ekziston një terror i madh për rrjetin telefonik.

Gjasat janë që shumë njerëz nuk mund të shpjegojnë se çfarë është 5G, kështu që ja një përmbledhje e shkurtër për këtë teknologji. Kur e përdorni telefonin tuaj, ai ndërvepron me antenën telefonike në afërsi, përmes radio valëve. Antena telefonike pastaj lidhet (gjithashtu përmes radio valëve) me një rrjet qendror, i cili më pas e kalon informacionin që e merr dhe e dërgon informacionin prapa.