Çfarë do të ndodh nëse Hashim Thaçi arrestohet në Beograd?

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, shpreson të vizitojë Beogradin javën e ardhshme, pavarësisht nga urdhër-arresti, raporton Reuters, duke shtuar se një arrestim, i cili është i mundshëm, “do të përbënte një incident diplomatik dhe do të zemëronte BE-në, ku aspirojnë të anëtarësohen Kosova dhe Serbia “.

Agjencia e lajmeve Reuters, përkujton se politikanët serbë Thaçin e kanë shpallur kriminel lufte për rolin e tij gjatë vitit 1998-1999 në Kosovë, ku një gjykatë serbe në vitin 1997 e dënoi në mungesë me 10 vjet burg për terrorizëm.

Fletë-arresti ndaj Thaçit, daton që nga koha e Sllobodan Millosheviqit, për shkak të pjesëmarrjes së tij në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por, pas luftës, ky fletë-arrest, i lëshuar aso kohe edhe përmes Interpolit, është shfuqizuar për vendet tjera, përderisa në Serbi, prokurori serb ka bërë me dije se mbetet ende në fuqi.

Edhe pse muajin e kaluar piu kafe në Prishtinë me ministrin e Jashtëm serb, Ivica Daçiq, Beogradi pëlqen të mbajë distancë me diplomatin kosovar, raporton më tutje Reuters, ndërsa beson se qeveria serbe do të ballafaqohet me kërkesat e ultranacionalistëve që ta burgosin Thaçin nëse më 24 prill arrin në Beograd në Konferencën “Integrimi i Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian me moton: Së bashku mund të bëjmë edhe më mirë”, të cilën e organizon “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”.

Prania e tij, sipas vlerësimit të Reuters, kërkon një organizim të madh të forcave të sigurisë së shtetit serb.

“Thaçi mori një ftesë dhe është gati që të shkoj në Beograd. Tani është në duart e autoriteteve në Beograd nëse ai do të shkoj”, tha për Reuters, këshilltari i diplomatit kosovar, Ardian Arifaj.

Reuters thekson se me këtë rast shefi i diplomacisë së Kosovës nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga zyra e Prokurorit të Krimeve të Luftës në Serbi, Vladimir Vukçeviq, por sipas Blic, Thaçi “do të mund të arrestohet”.

Por, koordinatorja e projektit RECOM (Koalicioni për Komisionin rajonal për vërtetimin e fakteve për viktimat e luftës në hapësirën e ish-Jugosllavisë), Natasha Kandiq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se pozicioni i Hashim Thaçit i tejkalon autorizimet e cilitdo organ në Serbi, pasi që për fatin e tij mund të vendosin vetëm organet evropiane.

“Të gjithë e dimë që ai, Thaçi është bashkëbisedues në dialog dhe përfaqëson Kosovën dhe mendoj se deklaratat e prokurorit për krimet e luftës në Serbi nuk janë të mirëseardhura”, është shprehur Kandiq.

Sipas saj, në Kosovë është duke u themeluar Gjykata Speciale për krimet e luftës dhe në bazë të hetimeve të prokurorit amerikan Clint Ëilliamson do të dihet më pas se cilët janë ata persona që mund të arrestohen dhe dërgohen në gjykatë.

“Se kush do të jetë i akuzuar, kjo i tejkalon autorizimet e organeve të Serbisë. Kjo kompetencë do të jetë në përgjegjësinë e kësaj gjykate evropiane”, ka deklaruar Kandiq.

Juristi Bogolub Millosavleviq, profesor në Universitetin Union në Beograd, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se formalisht prokurori Vukçeviq ka të drejtë, por a do të zbatohet ky urdhër- arrest është diçka tjetër.

“Pasi që bëhet fjalë për vepra që ndërlidhen me krimet e luftës, arrestimi mund të ndodhë pavarësisht se kanë kaluar shumë vjet, pasi që këto vepra nuk vjetërsohen”, ka thënë Millosavleviq.

Por, sipas tij, tani kur është në proces formimi i Gjykatës Speciale në Kosovë, mund të ndodhë që të gjitha rastet e dyshuara të transferohen në kompetencë të kësaj Gjykate, e cila do të drejtohet nga ndërkombëtarët.

Me gjithë paralajmërimet e autoriteteve serbe, ftesës së Organizatës Joqeveritare, “Komiteti i Edukimit të të Rinjve”, zëvendëskryeministri Thaçi i është përgjigjur në parim pozitivisht.

Zëvendësministri i jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ministria i është përgjigjur pozitivisht ftesës, sepse “këto vizita e ndihmojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë”.

Ai, megjithatë, ka thënë se kjo është përgjigjja paraprake.

“Nëse do të ketë vizitë, nuk varet nga Kosova, por gatishmëria në Beograd”, ka thënë Selimi

- Advertisement -

MË TË FUNDIT