Çerdhja në Lagjen Kalabria mund të humbë nga neglizhenca e Shpend Ahmetit (Dokument)

Një kopsht fëmijësh mund të mbetet pa u ndërtuar në Lagjen Kalabria për shkak të neglizhencës së të parit të Kryeqytetit, Shpend Ahmetit. Reth parcelës ku fillimisht është planifikuar ndërtimi ka një proces gjyqësor që ka ndikuar të pezullohet nisja e punimeve. Pikërisht për këtë, Zyra e BE’së i ka kërkuar Ahmetit që të gjejë një zgjidhje tjetër, por kryetari aktual që po pretendon të udhëheq edhe 4 vjet me Komunën, nuk ka treguar interesim për këtë. Gazeta Express sjell dokumentin që dëshmon neglizhencën e kandidatit të VV’së për ndërtimin e çerdhes në Lagjen Kalabria.

Në një letër që i ka dërguar zyra e BE’së në Kosovë kryetarit të Prishtinës thuhet se pas përpjekjeve të kota për t’u takuar me zyrtarë të komunës për gjetjen e një alternative dhe pamundësisë që të operojnë për të ndërtuar çerdhen e financuar nga IPA, projekti mund të anulohet krejtësisht.

Komuna e Prishtinës tashmë dihet se përballet me mungesë të çerdheve. Por, kryetari i saj Shpend Ahmeti nuk është se shfaqet shumë i interesuar t’u bëjë zgjidhje prindërve dhe fëmijëve as kur dikush ofrohet që të ndihmojë financiarisht projekte të tilla.

Bashkimi Europian me fonde të veta ka shfaqur gatishmërinë për të ndërtuar një çerdhe në lagjen Kalabria, por duket se tek Komuna e Prishtinës nuk po e gjen bashkëpunëtorin e duhur.

Gazeta Express ka siguruar një letër që përfaqësuesit e BE’së në Kosovë ia kanë dërguar Shpend Ahmetit, – pas shumë tjerave të nisura në adresë të tij, – ku shprehin shqetësim për shkak të mosinteresimit të Komunës për t’u takuar me ta dhe për t’iu ndihmuar lidhur me parcelën e tokës ku planifikohet ndërtimi i çerdhes.

Shpend Ahmeti, që po synon ta marrë edhe një mandat tjetër në Prishtinë, përmend investimet që, sipas tij, i ka bërë komuna për hapjen e çerdheve publike, por asnjëherë nuk ka folur për këtë projekt të financuar nga fondet e BE’së, më saktësisht nga fondet e  IPA 2014, që po rrezikon të mos ndërtohet.

Në letrën që Zyra e BE i ka dërguar Ahmetit shfaqen ankesat  se kryetari i Prishtinës po i neglizhon kërkesat e tyre.

“Më vjen keq të ju informojë se përkundër shkresave tona të shumta me komunën e Prishtinës dhe pas një përpjekjeje të kotë për të aranzhuar një takim me zyrtarët e komunës, neve na mungojnë akoma të dhënat bazike rreth pronësisë së tokës ku do të duhej të ndërtohej një çerdhe me financimin prej IPA’së 2014”, thuhet në letrën e BE’së.

Zyra e BE’së tregon se i autorizuari i tyre rreth projektit nuk ka pasur mundësi që të kryej analizat gjeoteknike për shkak se është ndalur puna me urdhër të Gjykatës Themelore të Prishtinës.

Komuna e Prishtinës deri më tani nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’ia zgjedhur çështjen e pronësisë.

“Siç e dini, i angazhuari nga zyra jonë për kompletimin e dizajnit të detajizuar për kopshtin e fëmijëve në lagjën Kalabria është penguar nga një paditës, duke mos pasur munndësi të përfundojë analiza gjeoteknike”.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar kërkesën e dy paditësve për të pezulluar aktivitetet lidhur me ndërtimin e këtij kopshti, duke i pamundësuar BE’së që të fillojë punën me matjen dhe planin ndërtimor.

“Sic duket, parcela e tokës e ndarë për ndërtimin e çerdhes është pezulluar sipas një urdhëri të dhënë nga Gjykata Themelore e Prishtinës”, përmendet në këtë shkresë.

Me këtë rast, ata kanë kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të takohen për të zgjedhur problemin e parcelës.  Por, edhe më tutje, siç shihet në letër, ata s’po marrin përgjigje nga Komuna.

Tutje, BE i ka vendosur një afat kohor Komunës së Prishtinës për të gjetur një alternativë tjetër që ndërtimi i çerdhes të ndodhë. Në të kundërt ata thonë se do të jenë të detyruar ta anulojnë projektin.

Zyra e Bashkimit Evropian kërkon nga komuna e Prishtinës që para datës 21 nëntor të këtij viti të gjendet një alternativë, ndërsa presin përgjigje nga zyrtarët komunalë.

“Ne nuk shohim ndonjë zhvillim në projektin tonë, në këto kushte. E vetmja zgjidhje, që do të na lejonte neve të kompletojmë planin e projektit deri në fund të vitit, do të ishte gjetja e një alternative nga ju për projektin, para datës 21 nëntor 2017. Në rast se nuk marrim ndonjë përgjigje nga ju para kësaj date, ne do të detyrohemi ta anulojmë projektin”, thuhet në fund të letrës. /Express/