Çeku: Javën e ardhshme publikohen listat e plota të veteranëve të UÇK-së

Ish-luftëtarët e UÇK-së do të presin deri në fund të javës së ardhshme të shohin emrat e verifikuar për statusin e tyre. Kjo ka qenë edhe kërkesa e tyre në protestën e organizuar ditë më parë. Madje ata kanë akuzuar për manipulim në lista.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për njohje dhe verifikimin e statusit të dëshmorit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së UÇK-së, Agim Çeku, thotë se listat janë transparente dhe nuk përjashtohen ankesat për emra konkret.
Ai tha se procesi është duke shkuar ngadalë por është në përfundim e sipër.
“Listat fillestare mendojmë që deri kah fundi i javës së ardhshme do të publikohen. Pastaj është afati i ankesave dhe ne do ta trajtojmë do ta shqyrtojmë çdo ankesë dhje atëherë komisioni do ti publikojë listat përfundimtare. Pas listave përfundimtare prapë ekzistojnë instrumente në qoftë se prapë ndonjë aplikant nuk është i kënaqur apo mendon se ju ka bërë e padrejtë, atëherë duhet të drejtohen në gjykatat themelore dhe me fakte , me argumente dhe gjykata e merr lëndën në dorë dhe atëherë jep përgjegjësi para gjykatës. Ose ai që ia ka përcaktuar një status të tillë nëse ka gabuar ose veterani nëse ka dhënë të dhëna të rrejshme dhe pretendon që të përfitojë”, tha Çeku, raporton televizioni publik.
Sa i përket numrit të emrave të përfshirë në lista, Çeku nuk ka dashur të flas për shifrën përfundimtare, duke theksuar duhet të kenë besim që komisioni do ta përfundojmë këtë proces ashtu siç duhet.
“Nuk besoj se listat do të nënshkruhen nga komandantët edhe pse ata e kanë obligim moral. Ne si anëtarë komisioni nuk kemi mekanizma e instrumente që ta detyrojmë dike që të nënshkruaj. Kjo varet nga vetë vullneti i tyre dhe përgjegjësia morale komanduese që e kanë pasur dhe ata janë komandantët e tyre, që i njohin ushtarin veteranin aplikant”, tha ai.
Ndërkohë veteranët kohë pas kohe janë shprehur të zhgënjyer me përkujdesin e deritashëm shtetëror që u është bërë atyre. Gjithashtu ata kërkojnë që edhe benificionet që u takojnë me ligj, t’i gëzojnë që nga janari i këtij viti.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT