Vetëm pak ditë më parë Kosova është shokuar nga ngjarja e ndodhur në Ferizaj ku si pasojë e dhunës psikike dhe fizike ka ndërruar jetë Marigona O. Vetëm 18 vjeç. I dyshuari kryesor për vrasjen e saj është, Dardan Krivaqa, me të cilin kishte bashkëjetuar një kohë. Kjo ngjarje ka vënë në alarm shoqërinë për shkak të numrit të lartë të rasteve të dhunës në familje ku cak janë gratë.

Ndërkohë situata vazhdon të mbetet shqetësuese. Vetëm brenda 24 orëve të fundit në raportin zyrtar të Policisë së Kosovës janë raportuar katër raste të dhunës në familje ku viktima janë gratë.

Njëri nga katër rastet ka ndodhur në Fushë Kosovë, ku viktima ka raportuar se së bashku me djalin e saj të moshës 8 vjeçare janë sulmuar fizikisht nga kunati i saj. Ankuesja është dërguar në tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Lagjja 29, Fushë Kosovë 27.08.2021 – 18:00. Ankuesja femër kosovare raporton se nga kunati i saj janë sulmuar fizikisht ankuesja dhe djali i sajë i moshës 8 vjeçare. Ankuesja është dërguar në tretman mjekësor , sipas raportit mjekësor lëndimet janë të natyrës së lehtë. I dyshuari është arrestuar me vendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë”, thuhet në raport.

Ndërsa në Vushtrri, i dyshuari ka sulmuar fizikisht gruan e tij e që viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët janë liruar në procedurë të rregullt.

“Vushtrri 27.08.2021 – 20:35. I dyshuari mashkull kosovar ka sulmuar fizikisht gruan e tij, Viktimës i është ofruar ndihma mjekësore. Sipas raportit mjekësor lëndimet janë të natyrës së lehtë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit palët lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në raport.

Rasti tjetër i dhunës në familje ka ndodhur në Podujevë, një grua ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, i dyshuari është arrestuar pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Podujevë (NN) 24.08.2021- NN. Viktima femër kosovare, me datën 27.08.2021 ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar, pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

Në Prizren, i dyshuar ka kanosur gruan dhe djalin e tij, motivi i incidentit ka të bëjë me banesën ku banojnë palët thuhet në raportin policorë, ndërsa nuk raportohet për ndonjë të arrestuar.

“Prizren 27.08.2021 – 15:30. I dyshuari mashkull kosovar ka kanosur gruan dhe djalin e tij. Motivi i incidentit ka të bëjë me banesën ku banojnë palët. Nuk raportohet për të arrestuar. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin policor.