Bombardime të reja në Alepo, 25 civilë të vrarë

Të paktën 25 persona u vranë në sulmin ajror nga avionët ushtarakë të regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad ndaj një grupi civilësh të cilët po përpiqeshin për të lënë qytetin e Alepos. Me këtë numri i njerëzve të vrarë gjatë 24 ditëve të fundit është rritur në 960.

Edhe pse Rusia tha se regjimi i Asadit pezulloi bombardimet në Halep për shkak të evakuimit të civilëve, shkatërrimi i qytetit sirian ende po vazhdon.

“Një grup civilësh në përpjekjen për t’u larguar nga qyteti ka qenë cak i sulmit të regjimit të Asadit. Si pasojë humbën jetën 25 persona”, konfirmoi për AA Nexhib Ensari nga Mbrojtja Civile në Alepo, raporton AA

Ensari tha se në lagjen Jallum nën rrënoja kanë shpëtuar 10 civilë dhe se në 24 ditët e fundit janë vrarë të paktën 960 persona.

Forcat e regjimit sirian dhe aleatët e tij që nga 15 nëntori janë duke kryer sulme të pandërprera në pjesët lindore të Alepos.

Alepo dikur ishte qyteti i ekonomisë dhe qendër kulturore e Sirisë dhe qyteti i dytë më i madh i cili tashmë u bë skenë e luftës së tmerrshme dhe vuajtjeve të njerëzve në atë vend.

Qindra mijëra njerëz në lindje të Alepos për më shumë se tre muaj nuk mund të plotësojnë nevojat elementare për jetesë. Në tre javët e fundit për shkak të sulmeve të regjimit kanë ndaluar punën të gjitha spitalet, qendrat mjekësore, furrat e bukës dhe shkollat.

Pjesa perëndimore e pjesës qendrore të qytetit kontrollohet nga regjimi, ndërsa pjesa lindore nga opozita.