Bizneset investojnë 19 milionë euro në Parkun industrial të Mitrovicës

Nasuf Aliu, drejtor komunal i Zhvillimit Ekonomik, ka deklaruar, të hënën, se Mitrovica do të ketë një zhvillim të hovshëm ekonomik.

“Komuna e Mitrovicës ka përcaktuar Parkun industrial prej 48 hektarësh, në fshatin Frashër, duke e krijuar infrastrukturën e domosdoshme për zhvillimin e bizneseve të shumta, me interes për vetë pronarët e tyre, e po ashtu edhe për qytetarët e Mitrovicës, për të krijuar mundësi për sa më shumë zhvillim e vende pune, kurse investimet do të jenë 19 milionë euro”, ka thënë Aliu, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në zhvillim të këtyre bizneseve, një aktivitet të hovshëm për avancimin e tyre, po e zhvillon edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri. Ai i ka takuar përfaqësuesit e 21 bizneseve vendore e ndërkombëtare, që planifikojnë të investojnë në Parkun Industrial në fshatin Frashër.

Bahtiri ka inkurajuar ata se Komuna e Mitrovicës po e bën maksimumin e mundshëm, që të krijojë kushte sa më të mira për investime në bizneset vendore, por edhe ato ndërkombëtare, sepse kjo është forma më e mirë e zhvillimit ekonomik, të cilat do të krijojnë mundësi edhe për hapjen e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e mirëqenies sociale.

“Çdo investitor, do të ketë rrugën të hapur dhe çdo lehtësi për të investuar në Komunën e Mitrovicës, sepse bizneset sot janë shtylla e zhvillimit ekonomik. Ne kemi bërë të pamundurën që të krijojmë kushte për ju, prandaj edhe për 7 nga 21 bizneset që kanë aplikuar tashmë kemi ndarë parcelat e nevojshme dhe punët mund të nisin menjëherë për zbatimin e projekteve. Kjo është një formë e re e gjenerimit të vendeve të punës, gjë që nuk është bërë më parë nga asnjë kryetar komune”, është shprehur Bahtiri.

Disa nga përfaqësuesit e bizneseve, si asaj për përpunimin e llaçit “Benjamini”, Afrim Ademi, ka thënë se biznesi i tij ka të bëjë me prodhimin llaçit industrial për ndërtimtari, po e zhvillon një biznes të kënaqshëm, me një plasman anekënd vendit, por atë shkallë-shkallë, do ta zgjerojë, për t’i përmbushur kërkesat e ndërtimtarisë së hovshme e moderne që po zhvillohet të Kosovë.

Edhe Suzana Gekoviq, pronare e NP për përpunimin e drurit “Cicina Creative”, ka thënë se Komuna e Mitrovicës po u krijon mundësi të mira zhvillimit të bizneseve. “Jam e kënaqur me veprimtarinë që e zhvilloj, edhe me mbështetjen që po na e bën komuna . Besoj se do të më mundësojë zgjerimin e kësaj veprimtarie drusore”, ka deklaruar Gekoviq.

E Hadie Ahmeti, pronare e fermës “Fëllenza”, është shprehur e kënaqur me veprimtarinë që e zhvillon, duke e furnizuar tregun me vezë, që, siç tha ajo, janë të kërkuara nga konsumatorët.

Këta dhe të gjithë përfaqësuesit e tjerë të bizneseve, e kanë përshëndetur punën e madhe që ka bërë dhe po e bën Mitrovica për krijimin e mundësive për investime në fusha të ndryshme të bizneseve.

Afaristët para kryetarit Bahtiri i kanë prezantuar edhe fushat në të cilat do t’i bëjnë investimet, vlera e të cilave arrin në 19 milionë euro, me mundësi të hapjes së 1 mijë e 500 vendeve të punës.

Drejtori i Zhvillimit, Nasuf Aliu, tha deri tashti janë përzgjedhur 7 kompani private, me të cilat edhe janë nënshkruar kontratat, kurse 12 të tjera i kanë dorëzuar kërkesat dhe projektet, të cilat komisioni profesional është në fazën përfundimtare të vlerësimit të tyre.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT