Poeti dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit rom, Kujtim Paçaku, ndërroi jetë në mëngjesin e kësaj të enjte.
Kujtim Paçaku u lind me 12 mars të 1959 në Prizren.
Në Prishtinë kreu studimet në Akademinë e Arteve – Dega e Muzikës dhe studimet postdiplomike në Pedagogjinë Muzikore.
Po ashtu arriti ta përfundonte edhe Akademinë e përshpejtuar për Aktrim dhe Regji në Klasën e Prof. Faruk Begollit.
Ish – deputeti i Kuvendit të Kosovës, diplomoi në romologji në Sorbonë të Parisit.
Gjatë studimeve krijoi oktete e kore të shumta. Pëveç aktiviteteve të shumta në shoqëri kulturore si ajo “Agimi”, ishte mësues në Duhël e Bllacë në vitin 1986.
Punoi si gazetar në korrespondent në shumë gazeta dhe media europiane.
Paçaku i cili posedonte një bagazh shumëvjeçar në Kuvendin e Kosovës, pati një kulturë të pasur prej një poeti, njofton Klan Kosova.
Ai përtej funksioneve ditore, pra edhe atij të deputetit, mbi të gjitha ishte poet, madje një ndër më të mirëfilltit që i kishte Kosova.
‘‘Kurrë nuk isha mjaft i bardhë/për të bardhët/As tamam i zi për të zinjtë”, është portreti i Paçakut për romin e nëpërkëmbur.