Biblioteka “Hivzi Sylejmani” inaugurohet në objektin e ri në Dardani

Është inauguruar biblioteka “Hivzi Sylejmani”, në objektin tashmë të ri, në Dardani.

Inaugurimi është bërë ditën e djeshme pasdite, shkruan Zëri.info.

Në fjalën hapëse, Drejtori i Bibliotekës, Munish Hyseni, i uroi të gjithë miqtë e librit, përfshirë lexuesit, botuesit dhe të gjitha institucionet që kanë kontribuar në hapjen e objektit të ri të bibliotekës, bibliotekë kjo që 70 vjet po e kryen misionin e vet të shenjtë në Prishtinë. Ai uroi që bashkarisht ky objekt të ruhet dhe të shërbejë për rritjen e lexuesve si dhe shpërndarjen e dijes te gjeneratat e reja.

Drejtori i ri i Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja në fjalën e tij tha se ky projekt kaq i vlefshëm me sipërfaqe prej 5800 metrash katrorë përveç këndit për fëmijë edhe të rinj ka edhe salla leximi, 250 ulëse për lexuesit e pasionuar, me vëllim voluminoz të librave, me hapësirë dhe mjete digjitale për qasje në internet e poashtu edhe salla për ngjarje të veçanta. Ai e bëri publike poashtu se Drejtoria e Kulturës do të ndajë 50 mijë euro për sigurimin e titujve të rinj të librave profesionalë për pasurimin e fondit të përgjithshëm të bibliotekës.

Në fund fjalën e mori  Kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, i cili i ftoi përveç nxënësve dhe të rinjve edhe lexuesit e të gjitha gjeneratve që ta shfrytëzojnë këtë objekt impozant.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT