Betohen 155 ushtarët e rinj të FSK-së, gjenerata 2015

    Sot në ambientet e kazermës “Skënderbeu” të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes të FSK-së, në Ferizaj, u mbajt ceremonia e certifikimit të 155 rekrutëve të rinj të FSK-së, gjenerata e parë 2015, të cilët për nëntë javë trajnimi intensiv e përmbyllin me sukses kursin bazik dhe treguan përkushtim të lartë në përmbushjen e detyrave dhe obligimeve të dala nga programi i shkollës.

    Ministri i MFSK-së, z. Haki Demolli duke ju drejtuar rekrutëve-ushtarëve të rinj, shtoi se “nuk ka mision më të shenjtë, se të jesh ushtarë në shërbim të mbrojtjes së lirisë dhe demokracisë, vlera dhe parime këto për të cilat gjenerata të tëra kanë sakrifikuar. Të qenit pjesëtarë të FSK-së është kënaqësi, detyrë dhe nderë për ju, që të jeni në shërbim të sigurisë, duke qenë të gatshëm në çdo moment për tu aktivizuar në detyra dhe misione që janë në të mirë të sigurisë së shtetit të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve, pa dallime kombi, race apo gjinie”.

    Ministri Demolli, me këtë rast, falënderoi stafin trajnues të KDS-së, për angazhimin e tyre të pakursyer në realizimin e këtij trajnimi, për të shtruar se: ”Niveli i trajnimit tuaj bazik me standarde të ushtrive më moderne, është një shembull i qartë i zhvillimit dhe progresit që po e bën FSK-ja në profesionalizimin e saj. Ju po certifikoheni në një moment të rëndësishëm të ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të shtetit tonë. Në kohën kurë janë bërë planifikimet dhe përgatitjet e duhura për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK). Ky transformim sjell mision dhe perspektivë të re për të gjithë, por veçanërisht hapë mundësi më të mëdha për zhvillimin e karrierës tuaj ushtarake. Prandaj kjo mundësi e re duhet të ju motivoj edhe më shumë për realizimin e detyrave që dalin para jush, gjatë kryerjes së shërbimit në FSK”.

    Në fund, ministri Demolli uroi ushtarët e rinj, me dëshirën për të treguar suksese në detyrat e reja dhe njëherë kërkoi angazhimin e tyre në stërvitjet, në kuadër të strukturës së FSK-së, me qëllim të realizimit të objektivave të deklaruar për ta bërë FSK-në, forcë profesionale dhe efikase të sigurisë në të mirë të Kosovës dhe gjithë qytetarëve të saj.

    Ndërsa, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, në fjalën e tij, tha: “Ky është vetëm fillimi i rrugëtimit tuaj në një profesion fisnik. Gjatë karrierës tuaj, ju do të ballafaqoheni me sfida të ndryshme. Por, gjithmonë mbani në mend, që ne jemi në shërbim të vendit, atëherë kur vendi ka nevojë më së shumti për ne. FSK-ja është forcë kredibile, profesionale dhe forcë për të mirë të vendit dhe rajonit. FSK-ja është duke vepruar në gjithë territorin e vendit duke i mbështetur autoritetet civile dhe qytetarët e Kosovës pa dallime. FSK-ja është duke marrë pjesë në ushtrimet regjionale të barabarta me të gjitha ushtritë e rajonit. Ne jemi të përkushtuar që të zhvillohemi profesionalisht në mënyrë që gjithmonë të jemi të gatshëm t’i përgjigjemi nevojave të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, si dhe rajonit. Ne jemi të përkushtuar që të bëhemi vend kontribuues i sigurisë regjionale dhe globale”.

    Komandanti i FSK-së, gjeneral Rama për të gjitha të arriturat dhe zhvillimet profesionale të regrutëve të rinj të FSK-së, ka falënderuar dhe përgëzuar stafin e KDS-së, familjarët e ushtarëve të rinj, si dhe në veçanti partnerët ndërkombëtarë.
    Në emër të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes me një fjalë ka përshëndetur, komandanti i Qendrës Bazike majori Sami Hajrullahu.

    Në fund të ceremonisë rekrutët e rinj solemnisht dhanë betimin.

    Ministri, Komandanti, gjenerali Hauman, kolonel Spahiu dhe Domenic Braitwait, instruktorëve dhe rekrutëve u dhanë mirënjohje për punë të suksesshme dhe profesionale, si dhe certifikatat për kryerjen me sukses të Kursit Bazik.

    Në ceremoninë e betimit të rekrutëve të rinj, morën pjesë: ministri i Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës, z. Haki Demolli, zëvendësministri i MFSK-së, z. Fadil Gashi, komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendës komandanti i KDS-së, kolonel Irfete Spahiu, atashe ushtarakë, drejtori i Ekipit Ndërlidhës Këshillues të NATO-s (NLAT) gjeneral brigade Werner Haumann, shefi i Ekipit Këshillues të NATO-s (NAT) z. Domenic Braitwait, oficerë të lartë të FSK-së, Policisë së Kosovës, KFOR-it, si dhe familjarë të shumtë të rekrutëve.