Familja Bozhiqi paditi një bankë të nivelit të dytë dhe shoqërinë përmbarimore për pavlefshmëri kontrate kredie bankare dhe rrëzim të një urdhëri ekzekutimi. Për fat ata i kishin ruajtur faturat dhe dokumentet që vërtetonin pagesat.
Banka ku familja Bozhiqi, nga Elbasani, kishte marrë kredinë në përfundim të saj e kishte transferuar atë tek një tjetër kredidhënës dhe ky i fundit i kërkoi qytetarëve të shlyenin sërish të njëjtën shumë.
“Ne kemi marrë dy herë kredi, një herë 500 mijë lekë dhe një kredi tjetër 250 mijë lekë, të cilat i kemi shlyer me këste mujore. Me kalimin në bankën tjetër na komunikohet se kemi kredi të pashlyer. Për këtë na ka ardhur përmbarimi dhe kërkon sekuestrimin e pasurisë”, thuhet në padinë e familjes Bozhiqi.
Nisur nga provat e paraqitura gjatë gjykimit, Gjykata e Shkallës së Parë vendosi pro kredimarrësve, por ky është rasti i rrallë kur një qytetar fiton përballë bankave. Avokati i çështjes, Altin Ago, thotë se abuzimi në këtë rast ishte shumë i qartë dhe i vërtetueshëm, por sipas tij shumë pak qytetarë kanë mundësi t’i vërtetojnë të drejtat e tyre dhe rastet e fituara përballë institucioneve nuk numërohen as me gishta.
“Qytetarët nënshkruajnë kontrata që nuk i lexojnë dhe më pas vuajnë pasojat”, thotë ai ndërsa tregon për shumë raste që e kanë humbur procesin përballë përmbarimit, por edhe vetë institucioneve bankare.
Sipas një investigimi të publikuar nga BIRN, transferimi i kredive konsumatore nga bankat te kompanitë e mbledhjes së borxhit dhe më tej të përmbaruesit privat shpesh shoqërohet me kosto shtesë dhe të paligjshme për konsumatorët, të cilët për shkak të kulturës së dobët financiare bëhen pre e lehtë e abuzimeve, në një treg pa mbikëqyrje dhe në vakum ligjor.