Berisha: Patriotizmi i Ramës shihet me medaljen që ia dha Bregoviqit

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka komentuar sot deklaratat e kryeministrit Edi Rama për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës si dhe vizitën e mundshme të Hashim Thaçit në Serbi.
I pyetur për këto çështje nga KosovaPress, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët sot në Tiranë, Berisha tha se Rama po kërkon të bëjë patriotin vetëm për tu shmangur nga problemet e ditës që po ndodhin në Shqipëri, siç është eksodi i shqiptarëve apo arrestimi i deputetëve Frroku dhe Doshi.
Berisha i kërkoi Ramës që për çështje të interesit kombëtar të flas me vepra dhe jo me fjalë; siç do të mund të ishte ndërtimi i hekurudhës Tiranë-Prishtinë apo zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara mes palëve.
“Druaj shumë se këto deklarata janë të lidhura me Mark Frrokun, me eksodin, me Tom Doshin dhe me problematika të tilla që ky i lëshon si shashka për të mundur të tërheq vëmendjen. Interesi kombëtar madhor i shqiptarëve në këtë rrafsh janë sot marrëveshjet Prishtinë-Beograd. Këto janë në krye të listës së interesit kombëtar, dhe Shqipëria duhet të jetë një faktor kontribues në mundësitë dhe jo çkontribues. Pra interesi i shqiptarëve është në mënyrë të padiskutueshme konkretizimi i marrëveshjeve Kosovë-Serbi. Rama le të paraqesë projektin e hekurudhës me Prishtinën. Hekurudha është jetike për Kosovën edhe për Shqipërinë është e dobishme se hekurudha nga Mal i Zi nuk është kaq fizibël për ne, kurse një hekurudhë Tiranë-Prishtinë të nxjerr në Europën Qendrore në segmentin më të shkurtër. Ka dy vjet s’ka asnjë projekt. U tall një vit me abetaren që ishte themeli i atij procesi. Lidhjet e tensionit është e jona, komplet e jona, edhe tenderimi i dytë është bërë nga qeveria ime. Ditën që deklaroi se hoqëm doganat atë ditë u ndaluan tifozat më shumë se kurrë në doganë. Problemi është se të gjitha i ka këto deklarata për të shpërndarë tymnajë; për të justifikuar zhbërjen e standardeve që po realizon dhe shkarjen mbrapa. A po shkasim ne mbrapa? A janë ekzodat dëshmi e shkarjes sonë mbrapa!”, tha sot ish-kryeministri Sali Berisha.
Lidhur me vizitën e zv.kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi në Beograd, Berisha kritikoi qëndrimin e qeveritarëve serb që nuk e mirëpresin këtë vizitë dhe madje flasin me gjuhën e Millosheviçit dhe Sheshelit, për arrestimin e tij.
Duke iu rikthyer edhe një herë vizitës që Rama bëri në Beograd pak kohë më parë, Berisha tha para mediave se Rama i gënjeu shqiptarët e Preshevës, duke thënë se firmosi marrëveshjen për njohjen e diplomave.
“Për sa i përket deklaratave të Vuçiqit e të këtyre të tjerëve, më kujtojnë kohërat e Millosheviqit, dhe më vjen shumë keq që flas në këtë mënyrë, sepse këta kanë një histori tjetër, kanë ardhur, janë zgjedhur, etj., si këto. Por të ngrihen tani e të thonë se do arrestojmë Hashim Thaçin? Si mund të arrestohet kur kanë disa marrëveshje të përbashkëta, këtë mund ta thoshin vetëm mendje të rrjedhura, si Millosheviqi dhe Shesheli. Çdo të thotë kjo aktet e Millosheviqit mban t’i në sirtar? Së dyti interesi tjetër i shqiptarëve është Presheva. Zotëria shkoi dhe i mashtroi, në Preshevë iu tha se arrita marrëveshjen për njohjen e diplomave. Absolutisht asgjë nuk arriti, vetëm dëgjoi mandolinën e Daçiqit, kaq. Mosnjohja e diplomave bën që të shkolluarit nga Presheva të largohen nga Presheva”, tha më tej Berisha.
Gjithashtu Berisha i kërkoi Ramës që para se të bëjë patriotin duke deklaruar se do të bëjë bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, ai duhet të kërkojë falje për medaljen e Çelësit të Tiranës që i ka dhënë këngëtarit serb Goran Bregoviq.
“Tani zotëri çfarë po bën ti në mënyrë që Kosova dhe Shqipëria të ndjehen më afër njëri-tjetrit, nuk ka nevojë për fasadë? Të mendosh se po bëhet patriot Rama që i ka vendosur Çelësin e Artë të Tiranës Bregoviqit, pa kërkuar të falur dhe pa kërkuar anulimin e aktit të tij është njëlloj si të besosh rrethin katror. Mund të bëhet, nuk mund të them, por duhet të bëjë disa hapa, të tërheq medaljen që i ka dhënë Bregoviqit, të thotë kam qenë i gabuar. Do të bëjë patriotizëm? Le të bëjë projektin e hekurudhës, Tiranë-Prishtinë dhe ta mbështes opozita me gjithë forcën,” tha ish kryeministri Berisha.
Gjatë këtij bashkëbisedimi me gazetarët, ish kryeministri foli edhe për zgjedhjet vendore në Shqipëri, duke vlerësuar kandidatët e zgjedhur nga PD për kryebashkiakë, ndërsa e këshilloi kryetarin e PD-së Bashën që të bëjë pak më shumë kujdes në raportet me aleatët.
Gjithashtu Berisha iu drejtua me një apel të gjithë shqiptarëve që të mos largohen nga vendi për të kërkuar azil, por të qëndrojnë në Shqipëri dhe të japin votën e tyre kundër qeverisë Rama-Meta, që sipas tij është shkaktare për këtë eksod masiv, që ai e quaji të ngjashëm me atë të viteve 90-të.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT