Berat Buzhala kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga Devollët

Arianit Koci, avokati i drejtorit të “Gazetës Express”, Berat Buzhala, tha se duke vendosur në panot reklamuese fotografinë e gomarit dhe mbishkrimin “Buzha’L”, tri kompanitë metaforikisht kanë tentuar ta “vrasin” publikisht klientin e tij.

Gazetari Berat Buzhala kërkon 250 mijë euro dëmshpërblim nga kompanitë “Devolli Group”, “Devolli Corporation” dhe N.SH “Kristal B”, të cilat i ka paditur në Gjykatën e Pejës për billbordet me përmbajtje fyese ndaj tij.

Arianit Koci, avokati i drejtorit të “Gazetës Express”, tha në fillim të procesit gjyqësor se duke vendosur në panot reklamuese fotografinë e gomarit dhe mbishkrimin “Buzha’L”, këto kompani metaforikisht kanë tentuar ta “vrasin” publikisht klientin e tij.

“Paditësin Berat Buzhala metaforikisht kanë tentuar ta vrasin publikisht”, tha Koci.

Sipas avokatit, me ketë veprim është rrezikuar siguria juridike e qytetarëve dhe sipas tij është demonstruar publikisht që dikush qëndron “mbi ligjin” në Kosovë.

Avokati Koci theksoi se tri kompanitë kanë organizuar fushatë me përmbajtje fyese në shenjë hakmarrjeje ndaj shkrimeve të gazetarit Buzhala lidhur me kompaninë “Devolli Corporation”.

“Kjo fushatë kundër Berat Buzhalës është bërë në shenjë hakmarrjeje për artikujt të cilët i ka shkruar në cilësinë e gazetarit paditësi, kundër Devolli Corporation”, tha avokati Aranit Koci.

Nga të paditurit në këtë seancë ishte vetëm përfaqësuesi i autorizuar i kompanisë “Devolli Corporation”, Qendrim Zogaj, i cili i  kundërshtoi pretendimet e paditësit dhe tha se ato janë të pabazuara.

“Konsiderojmë që padia dhe kërkesë-padia e paditësit është në tërësi e pabazuar dhe kjo për faktin se paditësi si në ketë seancë po ashtu edhe me padi nuk ka prezantuar asnjë provë të vetme”, tha Zogaj.

Ai u shpreh së kompania “Devolli Corporation” menjëherë të nesërmen është distancuar nga vendosja e panove reklamuese me logon e saj në billborde përmes gazetës “Koha Ditore”.

Zogaj shtoi së logo e kompanisë që ai mbron është keqpërdorur dhe kërkoi nga gjykata ta refuzojë padinë si të pabazuar.

Ndërkaq, avokati Arianit Koci përmendi si prova deklarimet e kompanisë “Kristal B” se ajo ka vendosur panot dhe se në të ka qenë edhe logoja e “Devolli Corporation”.

Ai po ashtu iu referua edhe një përgjigjeje nga Komuna e Pejës, ku sipas tij dëshmohet së billbordet kanë qenë nën menaxhimin e kompanisë “Devolli Group”.

Në seancën e radhës u propozuar që në cilësinë e paditësit të deklarohet vet gazetarit Berat Buzhala i cili përmes gjykatës po kërkon dëmshpërblim nga tri kompanitë prej 250 mijë eurove.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet me datë 17 janar. /kallxo.com/