Bazaj: Fuqishëm do ta mbështesim Ramiz Lladrovcin

Fushata zgjedhore për kryetar të Drenasit e cila fillon nga e hëna, do ta ketë një veçori. Përderisa secili kandidat do të kërkojë votën për vete, dikush prej kandidatëve do të kërkojë nga qytetarët që mos ta votojnë.

Naim Bazaj do të jetë në listën e kandidatëve për kryetar të Drenasit, por ai thotë se elektoratit të tij do t’ia kërkojë votën për kandidatin e PDK-së.

Emri i tij do të jetë në garë për kryetar të Drenasit, por ai do të bëjë fushatë për kandidatin e PDK-së. Naim Bazaj, u certifikua si kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit, por më pas u tërhoq nga gara dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e decertifikoi. Megjithatë, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e anuloi këtë vendim të KQZ-së. Në këtë mënyrë, Bazajt, nuk i ka mbetur tjetër, vetëm që të kërkojë nga mbështetësit e tij që mos ta votojnë atë.

“Nga e hëna do të vazhdojmë fuqishëm ta mbështesim kandidatin e PDK-së, Ramiz Lladrovci, pavarësisht nga ajo që ka disa zëra se a do të jesh kandidat dhe e ka kthyer KQZ-ja emrin tim prapë në garë”, tha Bazaj për Radio Kosovën.

Bazaj thotë se ka fuqinë politike të PDK-së në Drenas, por meqenëse partia e ka caktuar një kandidat tjetër, ka gjetur forcën që të heq dorë nga gara, pas bisedave edhe me kryetarin e Skënderajt, Sami Lushtakun, i cili gjendet në burg, por edhe deputetin Nuredin Lushtaku dhe zyrtarë të tjerë të PDK-së.

“Arsyeja pse kam lëshuar pe është për hirë të Grupit të Drenicës që është dënuar. Nuk dua të jem unë përçarës kryesorë në komunën e Drenasit, por të jemi fuqishëm për bashkimin e djemëve dhe vajzave tona që i kemi aty. E di që ka qenë ditë tepër e rëndë kur kam deklaruar se tërhiqem nga gara”, tha Bazaj.

Naim Bazaj është pjesë e Partisë Demokratike të Kosovës, mirëpo pasi partia e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar të Drenasit, ai doli si kandidat i pavarur. Pak kohë më pas, Bazaj hoqi dorë nga kandidatura, por nuk u decertifikua nga KQZ-ja, duke mbetur kështu në garë. Ndërkohë edhe Rrahim Elshani ishte kandidat i pavarur, por u tërhoq nga gara. /rtk/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT