Basketboll, ndeshja e parë e Kosovës me Portugalinë

 

Kosova do të debutojë në rrafshin ndërkombëtar në Evropianin U-20, pas pranimit në FIBA. Basketbollistët e rinj kosovarë ndihen të privilegjuar dhe krenarë, që do ta kenë mundësinë ta përfaqësojnë vendin e tyre. Ata premtojnë se do ta japin më të mirën, në evenimentin që do të mbahet gjatë korrikut në Rumani.
Pranimi në FIBA ua ka hapur dyert të gjithë basketbollistëve kosovarë. Thyerjen e izolimit, të parët do ta shijojnë basketbollistët e Përfaqësueses U-20 të Kosovës, të cilët do ta kenë rastin të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të kësaj grupmoshe.
Në fakt, ky eveniment do të mbahet në qytetin Szekesfehervar të Hungarisë, nga 9 deri më 19 korrik, në Divizionin B, prej nga, fituesit e grupeve do ta kenë mundësinë të kualifikohen për Evropianin që do të mbahet vitin tjetër. E Kosova, lojën e parë do ta zhvillojë me Portugalinë, më 9 korrik.
Sekretari i përgjithshëm i FBK-së, Leart Hoxha, thotë se pranimi në FIBA do të jetë mundësi e mirë që të promovohet basketbolli kosovar dhe se, tash e tutje, basketbollistët e këtushëm do ta kenë mundësinë ideale të sprovohen me moshatarët e tyre nga vendet tjera.
“Është një mundësi e mirë për lojtarët tanë, pasi do ta kenë mundësinë t’i matin forcat me Malin e Zi, Gruzinë dhe ekipet tjera, në Evropianin U-20. Ky është parametri më i mirë i kualitetit që e kemi, të kësaj gjeneratës, dhe punës që është bërë. Kjo gjeneratë është mbledhur në disa turne dhe njëkohësisht, lojtarët e saj kanë minutazh në Superligë”, thotë Hoxha për “Zërin”.
Ai zotohet se shtëpia e basketbollit kosovar shumë shpejt do të lëvizë, në emërimin e selektorëve të të gjitha grupmoshave, drejtorëve dhe zyrtarëve tjerë, nga të cilët do të hartohet kalendari vjetor, në përputhshmëri me angazhimet e përfaqësueseve të Kosovës./Zeri/DrenicaPress/
- Advertisement -

MË TË FUNDIT