Bashkia e Tiranës kërkon shembjen e lokalit të bashkëshortes së ish-kryeministrit, Fatos Nano

Bashkia e Tiranës është e vendosur për t’i shkuar deri në fund kërkesës së saj për prishjen e restorant “Pulëbardhës” në pronësi të bashkëshortes së ish-kryeministrit, Fatos Nano. Në një shkresë të datës 23 tetor që i është dërguar administratores së shoqërisë “Joy Travel”, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve Mbështetëse në Bashkinë e Tiranës, njofton subjektin për zgjidhjen e kontratës sw qirasë. Sipas Bashkisë, shoqëria “Joy Travel” nuk e përdor ambientin për qëllimin me të cilin e ka marrë; “lokal shërbimi me sistem 24 orësh në shërbim të udhëtarëve”, prandaj po kërkon zgjidhjen e kontratës para afatit të përcaktuar.

“Me përmbysjen e afatit me shkrim (15 ditë) Bashkia e Tiranës e konsideron kontratën e qirasë të zgjidhur”, thuhet në një shkresë të Bashkisë, shkresë që mban firmën e drejtoreshës Itena Ndroqi dhe që është dërguar pranë këtij subjekti dy herë në formën e një korrespondencë. Referuar materialit shkresor bëhet me dije se subjekti i cili është regjistruar 11 vite më parë ka pasur një kontratë 20-vjeçare, të përcaktuar edhe në aktivitet por meqë nuk është vërtetuar përmbajtja, kjo kontratë prishet. Mirëpo, përveç të tjerave, problematikë që në fakt është bërë publike edhe nga vetë kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, mësohet se objekti në fjalë është edhe një ndërtim pa leje ndaj duhet të shembet.

Veliaj për “Pulëbardhën”

Pak kohë më parë, i ftuar në një emision të drejtpërdrejt, kreu i ri i Tiranës ka kthyer në vëmendjen e opinionit publik një emër biznesi që në fakt prej shumë kujt edhe mund të ishte harruar përveç se personave që kanë patur të bëjnë me objektin në fjalë.

Teksa shpjegonte nevojën për të ndërhyrë në Tiranë, Veliaj thotë: “Protesta e “FK Tirana” është për restorant “Pulëbardhën”. Jemi treguar të kujdesshëm për të respektuar të gjithë afatet ligjore. Fillimisht restorant ‘Pulëbardhës’ te stadiumi Dinamo, “Selman Stermasi”, që është sot pronë e FK Tirana, pra edhe Bashkisë i është kërkuar të heqë të gjithë barrierat në rrugë, i është verifikuar dokumentacioni, i është kërkuar që edhe për çështje të sigurisë, bombolat e gazit që janë ngjitur tek dhomat e zhveshjes së lojtarëve duhet të hiqen dhe sigurisht pasi është verifikuar dokumentacioni, ai është një ndërtim pa leje. E përsëris, restorant “Pulëbardha” tek stadiumi Dinamo është një ndërtim pa leje”.

Ndërsa në lidhje me shembjen ai nuk hezitoi për asnjë moment: Sigurisht që do shembet dhe FK Tirana ka të drejtë. Për sa kohë që kemi pastruar të gjithë njësinë 5, do të ishte e pafalshme dhe do ishte standard i dyfishtë, nëse e vetmja ndërtesë që do shpëtonte nga ky aksion do të ishte restoranti në fjalë”. Kështu në shkresën që është përcjellë dhe që daton 23 tetorin e këtij viti mësohet se është vënë në dijeni subjekti për prishjen e kontratës dhe madje edhe për shembjen e të gjithë objektit, pasi ai rezulton pa leje. Stadiumi është pronë e “Tiranës” dhe tashmë pritet që menaxhimi i të gjitha hapësirës të kryhet nga klubi i futbollit “Tirana”.

Shekulli
- Advertisement -

MË TË FUNDIT