Banorët akuzojnë komunën e Vushtrrisë për diskriminim politik

    Disa banorë të fshatrave Samadrexhë dhe Sllatinë të Komunës së Vushtrrisë, kanë raportuar në KALLXO.com duke u ankuar për pushtetin e kësaj komune.

    Ata thonë së Komuna nuk po i asfalton rrugët e tyre vetëm pse ata i përkasin një subjekti tjetër politik e jo subjektit të Partisë Demokratike të Kosovës që qeveris Komunën e Vushtrrisë.

    Sami Surdulli, përfaqësues i lagjes së Surdullëve në fshatin Samadrexhë, thotë së PDK-ja këtu nuk ka vota dhe për atë arye nuk po shtrohet rruga.

    “Që gjashtë vite kanë premtuar se do ta shtrojnë asnjëherë nuk e gjeti fatin me u shtru. S’po shtrohet me arsyetim se nuk kemi buxhet por nuk është kjo përgjigje e saktë nga ana komunale. E saktë është se nuk kanë vota këtu [se] ne nuk jemi anëtarë të PDK-së për atë s’po shtrohet”, tha Surdulli.

    Ai shtoi se nga ana tjetër, komuna ka shtruar rrugë për disa që janë militantë të PDK-së deri në shtëpi, duke shtruar edhe rrugë private.

    Të njëjtën gjë me Surdullin e thotë dhe Skender Hajrizi, banor i fshatit Sllatinë të Vushtrrisë. Ai madje tregon sesi rruga e tyre u shtrua më asfalt vetëm 6 orë para së të fillonin votimet për zgjedhjet lokale të 2013.

    Hajrizi thotë se kjo çështje ka mbetur në mëshirë të Zotit duke qenë se pushtetarët komunalë në Vushtrri, nuk kanë bërë asgjë për rrugët, sepse në këtë zonë PDK-ja nuk ka mundur kurrë të marrë vota.

    “Një kaci zhavorr s’e kanë qitë kurrë se s’kanë pas vota; për shkak të zgjedhjeve e kanë shtruar njëherë, si me shtruar sonte dhe nesër janë kanë zgjedhjet. Pas dy ditëve u dal balta mbi asfalt”, tregon Hajrizi.

    Surdulli shtoi se Komuna e Vushtrrisë nuk ka pas mëshirë as për familjen e dëshmorit Lumni Surdulli pasi që e njëjta jeton në këtë rrugë.

    Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Vushtrrisë Bajram Mulaku, po thotë se qytetarët duhet ta kuptojnë pushtetin pasi që nuk mundemi ti shtrojë të gjitha rrugët brenda një viti.

    ‘’Duhet të kenë edhe qytetarët pak konsideratë se po të kishte komuna mjete më shumë, me dëshirë secilin rast e në veçanti rastet e familjeve të dëshmorëve kishte me i trajtu edhe mos me i lënë as një metër në llucë me ec”, tha Mulaku.

    Ai shtoi se në fshatin Sllatinë janë shtruar disa rrugë, mirëpo do të shtrohen edhe të tjerat.

    “Kështu që edhe në Sllatine ne i kemi shtru disa rrugë që hynë në fshat po nuk kanë shkuar deri te të gjitha shtëpitë, dhe i kisha lutur qytetarët që të kenë pak konsideratë dhe do të vijë momenti dhe ato do të shtrohen”, thekson Mulaku.