Ballkani i ri – serbët një shtet, shqiptarët tre

Perëndimi po do që përfundimisht ta zgjedh çështjen e Ballkanit. Me qetësimin e këtij rajonit, po merret personalisht kancelarja Angela Merkel, me mbështetjen e fuqishme të Amerikës dhe Britanisë. Këto tri vende po duan që serbët t’i dobësojnë, përfshirë edhe ata në Republika Srpska, duke mos mundur të shfaqin më asnjë kërcënim për tjerët. Fitues nga plani i madh i Perëndimit janë shqiptarët, që sipas një analize të Blic, mund të fitojnë edhe një shtet të tretë – Republikën në shtetin federal të Maqedonisë.

Telashet e shumta me të cilat është përballur rajoni i Ballkanit që shumë vite, do të largohen së shpejti.

Kjo do të ndodh falë një ofensive të fuqishme të Perëndimit, e posaqërisht Gjermanisë, Britanisë dhe Amerikës.

Rezultati që do të shihet në fund, do të jetë kështu: të gjitha vendet do të jenë pjesë e NATO-s e BE-së, serbët do të shndërrohen në një komb paqësor, Republika Srpska do të zhbëhet, ndërsa shqiptarët do të përfitojnë më së shumti, duke shijuar kënaqësitë e jetesës në të gjitha shtetet ku jetojnë.

Ky është konkludimi që ka nxjerr një analizë e gazetës “Blic” nga Beogradi, transmeton Klan Kosova.

Ivan Vejvoda, nga “Marshal Fund” ka thënë se krejt kjo ofensivë bëhet për ta qetësuar njëherë e përgjithmonë Ballkanin Perëndimor.

Zhvillimet më të rëndësishme të kësaj nisme janë farë afër të ndodhin, thotë ai, përcjellë Klan Kosova. E para është vizita e kancerales Angela Merkel në Beograd, Tiranë e Sarajevë, më 8 e 9 korrik, ndërsa e dyta përvjetori i 20-të i masakrës së Srebrenicës.

Sipas Blic, gjermanja do të kërkojë nga Serbia që në fund të bisedimeve me Prishtinës të pranojë anëtarësimin e Kosovës në OKB, të distancohet nga presidenti i Republika Srpskës, Milorad Dodik dhe të mos e pengojë forcimin e institucioneve qendrore të Bosnjë e Hercegovinës – me fjalë tjera, dobësimin total të Republika Srpskës.

Në Tiranë, Merkel do të kërkojë nga Edi Rama të qetësojë radikalizmin nacional dhe islamik të shqiptarëve në Maqedoni e Kosovë, ndërsa në Sarajevë do të tërheq vërejtjen për tensionet ndëretnike dhe do të thërrasë që korrupsioni i cili nuk po zhbëhet kurrë, të zëvendësohet me punë serioze drejt integrimit në BE. Blic shkruan se gjermanët do të sponsorizojnë dhe përkrahin ndryshime kushtetuese që kanë për qëllim dobësimin e Srpskas.

Nisma e Merkel, vendi i së cilës mori përsipër çështjen e Ballkanit, qysh më 2012, bëhet me mbështetje të fuqishme të SHBA-së. Britania i bashkohet valles, duke sponsorizuar një rezolutë për Srebrenicën në Këshillin e Sigurimit, që pritet të miratohet në 20 vjetorin e masakrës më të madhe në Evropë, pas Luftës II Botërore.

Jelena Guskova nga Akademia Ruse e Shkencave ka thënë se me këto veprime do të pësojnë Dodik dhe Republika Srpska, që kanë mbetur foletë e fundit të nacionalizmit serb në Ballkan.

Por çfarë në fakt po duan të bëjnë fuqitë e mëdha Perëndimore me popujt dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor?

Sa i përket popujve, përgjigja është kjo:
Serbët – nacionalizmi serb pacifizohet. Serbët në Republika Srpska janë qytetarë të Bosnjës e Hercegovinës, në Mal të Zi ata janë qytetarë të Malit të Zi, ndërsa vetë Serbia “sillet në gjendjen ku nuk mund ta kërcënojë më askënd”.
Boshnjakët – boshnjakët e dominojnë shtetin e Bosnjës dhe Hercegovinës, ndërsa në Serbi dhe Mal të Zi kanë të gjitha të drejtat si pakicë. Radikalizmi islamik minimizohet dhe boshnjakët bëhen pjesë e luftës globale për luftimin e terrorizmit.
Shqiptarët – do të jetojnë në disa shtete, do të shpërblehen me shtet në Kosovë dhe të drejta të fuqishme në Maqedoni. Perëndimi ua ka frikën për mundësinë e shpërthimit të nacionalizmit shqiptar, por edhe për shkak të faktit se janë shumë besnikë ndaj Amerikës.

Sa u përket shteteve, përgjigja është kjo:

Serbia – mbetet në kufijtë aktualë, me Preshevën, Sanxhakun dhe Vojvodinën, por pa Kosovën. Është në rrugë të drejtë kah BE-ja dhe bashkëpunon ngushtë me NATO-n. Merr pjesë në mënyrë aktive në luftën globale kundër terrorizmit. Ndikimi i Rusisë është minimal, për të mos thënë simbolik. Ligjet janë në shërbim të kapitalit.
BeH – përgjegjësitë më të mëdha i takojnë Sarajevës, Republika Srpska mbetet vetëm si formë. Boshnjakët janë sekularë, ndikimi i islamit është minimal. Bëhet pjesë e NATO-s dhe ecën mirë kah BE-ja. Në vend të pjesëtarëve të tre kombeve, promovohet termi “qytetarë të BeH”.
Maqedonia – apetitet e shqiptarëve kënaqen, në rast se ka nevojë, edhe me krijimin e një shteti federal që përbëhet edhe nga një republikë e shqiptarëve. Pushteti është liruar nga ndikimi i Rusisë. Është anëtare e NATO-s dhe janë larguar të gjitha bllokadat në rrugën drejt BE-së. /klan kosova/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT