Deputetja e zgjedhur e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kaosi me Ligjin për paga është i qëllimshëm dhe se për këtë është faji i Qeverisë në largim.

Gjykata Kushtetuese sot vendosi të pezullojë hyrjen në fuqi të këtij ligji deri në muajin mars të vitit 2020, pas ankesave nga Avokati i Popullit.

Bajrami në një postim në Facebook ka thënë se qeveria në largim kishte favorizuar vetëm disa kategori me Ligjin për paga.

“Grevat nuk zgjidhin asnjë problem përballë një situate kur Gjykata Kushtetuese do të bëjë interpretimin nëse Ligji i Pagave ka shkelur të drejtat e njeriut dhe barazinë para ligjit. Gjithë ky kaos është i qëllimshëm dhe s’është faji i Gjykatës Kushtetuese por i Qeverisë në ikje, e cila i ka favorizuar vetëm disa kategori të punësuarish në sektorin publik”, ka shkruar ajo.

Ajo ka komentuar edhe vendimet e disa sindikatave të punëtorëve të sektorit publik për greva për shkak të këtij pezullimi.

“Në këtë situatë kur protestat dhe grevat vetëm s’mund të zgjidhin një situatë juridike e cila ka kaluar në duart e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, me sindikata duhet të bisedohet dhe të sqarohet se çfarëdo proteste dhe grevat nuk zgjidhin problemin në raport me Gjykatën Kushtetuese. Vetëm duhet të kërkojmë që Gjykata Kushtetuese duhet sa më shpejtë të marrë vendim meritor për Ligjin e Pagave dhe të procedohet tutje bazuar në vendimin përfundimtar”, ka shtuar ajo.

Bajrami ka thënë se Qeveria dhe Parlamenti i ri duhet të bëhen gati “për të sanuar dëmet që i ka shkaktuar PAN me keqqeverisjen dhe mungesën e kompetencës”.

“Ligji i Pagave dhe loja me kategori të caktuara të shoqërisë shpërfaq më së miri nevojën e krijimit sa më të shpejtë të institucioneve tjera dhe dërgimin e PAN-it në opozitë për dy mandate. Tetë vjet s’do të mjaftojnë për të kthyer normalitetin nga Qeveria e PAN-it ku vendimet janë marrë sikur Shteti të ishte plaçkë”, ka përfunduar ajo.