Bajram Rexhepi: ShIK-u ka uzurpuar PDK-në dhe institucionet e Kosovës

    Ekziston një rrjet i tërë njerëzish që janë në të gjitha institucionet e Kosovës dhe strukturat e PDK-së, të cilat menaxhohen nga SHIK-u, raporton KTV. Shteti udhëhiqet nga ta. Kështu ka thënë për Rubikon ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ndërsa, ka paralajmëruar se do të tërhiqet nga PDK-ja në momentin kur në krye të saj do të vijë Kadri Veseli.

    ShIK-u ka uzurpuar jo vetëm PDK-në, por edhe institucionet e Kosovës, ka thënë njëri nga ish-themeluesit e PDK-së dhe ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi.
    Në një intervistë të gjatë për Rubikon, Rexhepi ka shpërthyer me akuza ndaj Kadri Veselit dhe të gjithë anëtarëve të tjerë të SHIK-ut që, sipas tij, e kanë kapur shtetin.
    I bindur dhe i sigurt në atë që po deklaron, Bajram Rexhepi ka thënë se e keqja e madhe partisë së tij i ka ndodhur në momentin kur Veseli është bërë zëvendëskryetar i PDK-së. Ndonëse, sipas tij, Veseli edhe më parë ka pasur ndikim në parti.
    “SHIK-u e ka fuqizuar pozicionin e vete është krijuar përshtypja dhe ka edhe të vërteta që gati në çdo ndërmarrje publike ndikimi i tyre është i madh, si në PTK, Trepçë. Pra ndikimi i SHIK-ut i strukturave të tyre dhe jo vetëm këtu por edhe në Ujësjellësin regjional dhe në shumë ndërmarrje të tjera dhe është krijuar përshtypja se pa përkrahjen e tyre njerëzit as që mund të punësohen dhe mendohet se edhe në RTK-ë kanë ndikim. Dhe në këtë situatë nuk vijnë në shprehje vlerat, nuk vijnë në shprehje vlerat. Realisht unë them dhe mendimi im është, unë isha e gëzuar kur e patën shpallur shpërbërjen sepse pata menduar se profesionistet do ti kthehen profesioneve të tyre për të dhënë kontributin, por ndodhi e kundërta janë futë në institucione dhe në parti e janë fuqizuar dhe me një veprim gjysmë legal, jo legal por gjysmë legal dhe tash janë legalizuar plotësisht ai rrjet është shtruar i bashkëpunimit dhe shumë të tjerë që u kanë ndihmuar qoftë në punësim apo përkrahje dhe ky fuqizim shumë i madhe edhe në parti edhe në institucione nuk ma merr mendja që sjell diçka pozitive”
    Kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, nuk është në krahun e njëjtë me SHIK-un dhe, sipas Rexhepit, në momentin kur ai nuk do të jetë më në krye të PDK-së edhe ai do të lërë përgjithmonë strukturat e kësaj partie, pasi nuk do të mund ta pranonte Kadri Veselin si shef.
    “Ndoshta do të tërhiqem nga strukturat udhëheqëse të partisë dhe Këshillit Drejtues në momentin kur nuk e udhëheq partinë Hashim Thaçi, unë tjetër shef nuk e pranoj, atëherë do të tërhiqem nga kryesia dhe Këshilli drejtues. Kadri Veselin ndoshta e pranon elektorati por unë si shef nuk e pranoj dhe shkoj në shtëpi. ”
    Rexhepi në Rubikon ka folur edhe për trazirat e marsit të vitit 2004 gjatë kohës sa ai ishte kryeministër, ku ka deklaruar se në mesin e protestuesve ka pasur grupe të islamit ekstrem, që kanë nxitur trazira, duke gjuajtur madje edhe me kallashnikov.
    Ndërsa ka thënë se siguria në atë kohë kishte dështuar, pasi edhe UNMIK-u dhe një pjesë e KFOR-it ishin përgatitur ta lënë Kosovën./Koha.net/