Bahri Bokshi zgjidhet kryetar i PD-së në Gjakovë

    Partia e Drejtësisë, dega në Gjakovë, ka mbajtur të shtunën Kuvendin e rregullt Zgjedhor, me ç’rast Bahri Bokshi u zgjodh edhe një mandat në krye të kësaj dege. Gjithashtu u zgjodh kryesia e re dhe delegatët që do të përfaqësojnë këtë degë në Kuvendin Qendror të PD-së që pritet të mbahet në qershor.
    Kryetari i porsazgjedhur, Bahri Bokshi, në mënyrë kronologjike, pasqyroi punën katërvjeçare të degës së PD-së në Gjakovë, duke përmendur aktivitete të shumta me karakter humanitar, por edhe aktivitete tjera që kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes socio-ekonomike të qytetarëve gjakovarë.
    Ndërsa, shpalosi edhe programin dhe prioritetet e tij për mandatin katërvjeçar, me theks të veçantë shtrirjen e PD-së në ato fshatra dhe pjesë të qytetit ku deri më tani nuk ka pasur degë, fuqizimin e rolit të gruas dhe investimin në kuadrot e reja profesionale, si dhe angazhimin e rinisë në proceset vendimmarrëse.
    Në këtë Kuvend Zgjedhor, i pransihëm ishte edhe kryetari i PD-së, Ferid Agani, i cili përgëzoi kuvendarët për organizim dhe angazhim në rritjen dhe fuqizimin e kësaj partie në Komunën e Gjakovës, duke potencuar se qytetarët gjakovarë, kanë nevojë për vlerat dhe programin e PD-së.
    Sipas tij, kjo parti që nga themelimi ka pasur në fokus ruajtjen dhe kultivimin e vlerave autoktone të popullit shqiptar, por edhe është angazhuar për ndërtimin e një shteti demokratik ku respektohen të drejtat dhe liritë e çdo qytetari, pavarësisht etnicitetit, apo bindjes fetare.