Babai i gruas së vdekur të futbollistit shqiptar ka një apel

“Dënimi i tyre duhet të jetë shembullor. Ai dënim nuk mund të zbusë dhimbjen time, por besoj dhe shpresoj se do të shërbejë që prindër të tjerë të mos vuajnë si unë dhe familjarët e mi”.

Me këto fjalë, Enver Haka, babai i Dorjana Hakës, 25-vjeçares që ndërroi jetë në nëntor të vitit 2014, pak ditë pasi solli në jetë një fëmijë, kërkon deklarimin e fajshëm të dy mjekëve të vënë nën akuzë për ngjarjen, raporton “Panorama”.

Dy mjekët e akuzuar për “mjekim të pakujdesshëm” ndaj Hakës, bashkëshortes së futbollistit të Partizanit, Alban Hoxha, janë kirurgu Petrit Rexhepi dhe anestezistja Elona Burba.

Thirrja e babait të Hakës, sipas “Panorama” vjen sot, kur Gjykata e Tiranës pritet të shpallë vendimin përfundimtar të procesit gjyqësor ku ata kanë qenë të ulur në tavolinën e të pandehurve.

Sipas Prokurorisë, të ndjerës Dorjana nuk i janë bërë analizat e nevojshme para se të futej në operacionin e lindjes dhe se kontrolli mjekësor pas operacionit ka qenë i mangët dhe i pamjaftueshëm.

APELI

Mes dhimbjes së pandashme që prej nëntorit të vitit 2014, babai i Dorina Hakës thotë që ka besim te drejtësia dhe te një vendim i drejtë.

“Kam qenë prezent në të gjitha seancat gjyqësore të procesit, plot 28 të tilla. Kam ndjekur me vëmendje çdo vendimmarrje të ndërmjetme të gjykatës. Mund të them që më janë dukur të drejta. Kam besim që edhe vendimmarrja përfundimtare e gjyqtarit Altin Abdiu do të jetë e drejtë. Uroj që edhe nesër (sot) të befasohem nga vendimi i tij”, u shpreh Haka gjatë një prononcimi për gazetën.

Ai është i bindur në fajësinë e dy mjekëve, që sipas tij janë fajtorë për humbjen e jetës të së bijës.

“Vajza ime nuk ka qenë asnjëherë e sëmurë për 25 vjet. Ka qenë sportiste. Është e padiskutueshme që ata janë fajtorë për vdekjen e saj. Ka qenë ndihma e munguar e tyre, ajo që solli pasojën e rëndë për mua dhe familjen, i morën jetën fëmijës sim”, vijon ai.

Me besim në institucionin e gjykatës, Enveri shpreson se trupi gjykues do të pranojë kërkesën e paraqitur nga Prokuroria në pretencë.

“Unë, si i dëmtuar në këtë çështje, pres që gjykata të miratojë kërkesën e Prokurorisë për dënim me nga 5 vjet heqje lirie për dy mjekët e akuzuar. Unë dëshiroj këtë vendim nga gjykata. Ata duhet të marrin një dënim, për t’u bërë shembull. Ky vendim duhet të shërbejë për të ndaluar raste të tjera të ngjashme, që të tjerë prindër të përjetojnë dhimbjen që unë përjetoj sot”, thekson Haka.

Procesi gjyqësor ndaj mjekëve Rexhepi dhe Burba ka nisur në tetor të vitit 2015. Gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria tha se vepra penale është kryer përmes veprimeve të kundërligjshme, pasi nuk janë bërë verifikimet e duhura për problemet që e ndjera Haka kishte me zemrën, probleme të evidentuara më parë.

alban-hoxha