Një baba që jetoi në Turqi dhe një vajzë që jetoi në Jordani më në fund arritën të takoheshin në Stamboll pas 12 vjetësh

Politikani sirian Ammar Haidar, i burgosur nga regjimi i Bashar al-Assadit në vitin 2009, u ribashkua me vajzën e tij Marwa Haidar në Stamboll.

I lindur në qytetin Hama të Sirisë, Haidar që nga rinia e tij ka kundërshtuar familjen Assad për shkak të praktikave anti-demokratike.

Ai filloi aktivitetet e tij politike në fillim të viteve 1980, ndërsa u dënua me burg shumë herë për aktivitetet e tij opozitare.

Ai u burgos për dy vjet më 2009. Duke mos u mjaftuar vetëm me Haidarin, regjimi i Assad-it gjithashtu bëri presion mbi vajzën dhe gruan e tij.

Haidar, i cili ishte një kontraktor i suksesshëm në Siri, dërgoi gruan dhe vajzën e tij në Jordani për shkak të këtij presioni.

Pasi u la i lirë me amnistinë pas fillimit të luftës civile në Siri në vitin 2011, Haidar vendosi të luftojë regjimin e Assad-it me opozitarë të tjerë në Siri në vend që të kthehej te familja e tij.

Ai vazhdoi luftën e tij deri në vitin 2014 kur u arrestua përsëri dhe u burgos për një kohë të shkurtër, ndërsa më pas shkoi në Turqi në vitin 2015, sepse Jordania nuk pranoi refugjatë politikë.

Vajza e tij Marwa, e cila tani është 28 vjeç, u desh të shkonte në Jordani me nënën e saj kur ajo ishte një nxënëse 16-vjeçare e shkollës së mesme. Pas mbarimit të shkollës së mesme atje, ajo studioi dizajnin grafik në një universitet privat, por u detyrua të linte arsimin në vitin e 3-të për shkak të përkeqësimit të situatës financiare të babait të saj.

Ajo ka punuar punë të ndryshme për t’u kujdesur për nënën e saj dhe për të siguruar jetesën, ndërsa gjithashtu ka bërë vizatime grafike.

Edhe pse ajo dhe babai i saj dëshironin të takoheshin gjatë kësaj periudhe, ata nuk mund të mblidheshin së bashku për shkak të pengesave të ndryshme.

Një baba që jetoi në Turqi dhe një vajzë që jetoi në Liban më në fund arritën të takoheshin në Stamboll pas 12 vjetësh. Familja Haidar tani dëshiron të jetojë së bashku në Turqi, pa u ndarë përsëri.

Shkeljet e të drejtave të njeriut

Duke folur për Anadolu Agency (AA), Haidar tha se ai mori pjesë në një takim në Liban në vitin 2009 me shumë njerëz nga vende të ndryshme, por u arrestua pasi u kthye në vendin e tij pasi kishte folur për shkeljet e të drejtave të njeriut në Siri.

“Unë isha në burg deri në vitin 2011. Pasi u lirova në vitin 2011, lufta kishte filluar. Të gjithë politikanët u lanë të lirë pasi Assadi lëshoi një amnisti të përgjithshme. Prandaj u lirova. Të gjithë njerëzit filluan të kundërshtojnë regjimin e Aasad-it. Unë gjithashtu mora një rol aktiv atje”, shtoi ai.

Duke theksuar se ai u arrestua përsëri në vitin 2014, Haidar tha se kaloi edhe një muaj në burg.

“Ky një muaj ishte më i vështiri. Kam qenë nëpër shumë burgje, por këtë herë ishte shumë keq. Ata torturuan shumë. Kishte 17 persona në një zonë prej 2 metrash. Tualeti ishte në të njëjtin vend. Në një periudhë një mujore, tre deri në katër njerëz vriteshin para syve të mi çdo ditë”, tha ai.

Haidar gjithashtu tha se njerëzit që punonin në burg “nuk ishin normalë”.

“Edhe regjimi nuk mund t’i kontrollonte ata. Ata ishin njerëz shumë mizorë. Pas një muaji, gjendja ime shëndetësore u përkeqësua shumë dhe me pak fat unë isha në gjendje të dilja jashtë”, tha ai.

Më vonë, Haidar u zhvendos në Liban.

“Kur shkova atje, shpresoja se mund të luftoja më shumë, por kushtet ishin të këqija edhe në Liban. Hezbollah po i bënte shumë dëm popullit sirian. Kishte shumë diskriminim dhe unë u përballa me një presion të madh. Kam qëndruar në Liban për një vit”, shtoi ai.

Haidar gjithashtu tha se 12 herë tentoi të kalonte në Evropë edhe nga Turqia, por nuk ia doli, u kap dhe u kthye prapa nga Greqia sa herë që provoi.

Lumturia e shumëpritur

Haidar tha se ai nuk i ka parë gruan dhe vajzën e tij që kur u burgos në vitin 2009.

“Kur u burgosa, unë nuk mund të komunikoja me ta për një kohë të gjatë. Pastaj pata një shans për të biseduar me familjen time dhe i kërkova që të shkonin në Jordani. Familja ime ishte gjithashtu e shtypur nga Assad-i. Familjarët gjithashtu ishin në një gjendje shumë të keqe psikologjike”, tha ai.

Haidar gjithashtu theksoi se që nga ajo kohë ai ka folur vetëm me familjen e tij në telefon.

“Ky moment i ribashkimit ka qenë në mendjen time për 12 vjet. Unë e ëndërroja këtë takim para se të shkoja në shtrat për gjithë ato vite”, shtoi ai.

Marwa tha se i mungonte shumë babai i saj, duke shtuar se ishte shumë e vështirë të jetoje pa baba në një vend të huaj dhe ngushëllimi i saj i vetëm ishte shpresa për ta parë përsëri.

“Për 12 vjet kam jetuar me ëndrrën për të parë babanë tim përsëri. Kur pashë babanë tim në portën e aeroportit, e përqafova fort. E shikova, e pastaj e përqafova përsëri. Ky ishte babai im dhe ai ishte mirë me shëndet. E shikova, e përqafova përsëri dhe përsëri. Mu desh pak kohë të besoja këtë”, tha Marwa. \Anadoly Agency