Ish –zyrtari i lartë i Kosovës së viteve 80’të, Azem Vllasi ka folur rreth fotografisë bashkë me diktatorin Sllobodan Millosheviq.

Ai me shaka e quan atë si poza kur ka dashur t’i bie ‘shuplakë’ kasapit të Ballkanit, porse me vonë sqaron se nuk bëhej fjalë për diçka të tillë, duke thënë se ishte vetëm një nga debatet e acaruara me Millosheviqin rreth Kosovës.

Vllasi tregon për Gazetën Express se fotografia që ka qarkulluar në rrjetet sociale gjatë ditës së premte, është e bërë 10 muaj pas vdekjes së Titos, e jo 10 ditë siç ishte raportuar. Sipas tij, ngatërrimi i tij me Millosheviqin, në atë kohë, ishte rreth propagandës që bëhej nga shteti serb se në Kosovë rrezikoheshin qytetarët e tyre.

“Me sa më kujtohet, ajo pozë e acaruar me Millosheviqin është gjatë një pauze të mbledhjes së Komitetit Qendror të Jugosllavisë, kur ne vazhdimisht polemizonim dhe ngatërroheshim rreth presioneve që bënte Serbia ndaj Kosovës, dhe propagandës që bënin mediat serbe nga Kosovë për të krijuar një bindje në Jugosllavi se këtu janë serbët e rrezikuar dhe se gjendja është e acaruar dhe lidhur me pozitën kushtetuese të Kosovës, se serbët prej asaj kohe synonin me bo ata që e bënë me dhunë gjatë viteve 89-90”, ka treguar Azem Vllasi.