Avokati i Selimit “shpërthen” ndaj Prokurorisë: Po sugjeron se policët mund të blihen e shiten si kriptovaluta

Avokati i Rexhep Selimit në Hagë, David Young ka shpërthyer ndaj Prokurorisë së Specializuar të Hagës e cila po e konsideron të paaftë Policinë e Kosovës për të mbikëqyrur kushtet e vëna për lirim nga paraburgimi të krerëve të UÇK-së.

Young në parashtresat e tij ka thënë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po e konsideron Kosovën një shtet të ngjashëm me perëndimin e egër, ku oficerët e policisë mund “të blihen dhe shiten si kriptovaluta”, shkruan lajmi.net.

“ZPS sugjeron se Kosova është një shtet kufitar pa ligj, i ngjashëm me perëndimin e egër, ku oficerët e policisë mund të blihen dhe shiten si kriptovaluta. Përderisa një gjendje kaq e rëndë do të reflektonte keq në kohën dhe përpjekjet e dislokuara nga UNMIK-u, EULEX-i dhe OSBE-ja në trajnimin e Policisë së Kosovës gjatë dy dekadave të fundit, ai gjithashtu tregon mungesën e mirëkuptimit të shfaqur nga ZPS për realitetin e situatës në Kosovë”, thuhet në parashtresën e Young.

Young bën të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka parashtruar gjithësej 46 pyetje ndaj Policisë së Kosovës që lidhen me aftësitë e saja për të monitoruar në mënyrë të efektshme arrestin shtëpiak të të akuzuarve.

Avokati thotë se ZPS ka veçuar disa pjesë nga përgjigjet e Policisë për të minuar besimin në kapacitetin e Policisë.

Madje ai thotë se gjyqtari në vendimin e tij nuk duhet të “bjerë në kurthin e ZPS-së”.

“Në fillim, përkundër paralajmërimit të saj të mëparshëm, mbrojtja vë në dukje përpjekjet e ZPS-së për të veçuar përgjigjen e PK-së dhe për të identifikuar aspekte të veçanta të përgjigjeve të detajuara ndaj 46 pyetjeve të parashtruara nga gjyqtari i procedurës paraprake për të minuar besimin në kapacitetin e PK-së për të zbatuar kushtet e lirimit të përkohshëm sikur një përgjigje jo e plotë mjafton për të garantuar vazhdimin e paraburgimit të z. Selimi. Gjyqtari i procedurës paraprake nuk duhet të bjerë në këtë kurth”, thuhet në parashtresë.

Parashtresat e avokatit të Selimit, David Young janë përmbledhur në 11 faqe.

Pas analizimit të plotë të rrethanave, garancive dhe parashtresave, gjykatësi paraprak pritet të marrë një vendim për lirimin ose jo nga paraburgimi të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. /Lajmi.net/