Avokati i Popullit: Jahjaga, Zhbogar e Meucci pengojnë hetimet ndaj Enver Hasanit

Avokati i Popullit ka bërë të ditur për opinionin publik se Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga; përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar; shefi i Misionit EULEX, Gabriel Meucci, po pengojnë hetimet që Institucioni i Avokatit të Popullit është duke zhvilluar, lidhur me dyshimet për shkelje ligjore dhe kushtetuese, të kryera nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.
Javën e kaluar, Avokati i Popullit ka njoftuar publikun e gjerë për hetimet që po zhvillonte rreth pjesëmarrjes së tre gjyqtarëve ndërkombëtarë në Rastin KO155/14, në të cilin Avokati i Popullit kishte kontestuar Dekretin e Presidentes Jahjaga për vazhdimin e mandatit të po atyre tre gjyqtarëve.
Përveç këtyre hetimeve, Institucioni i Avokatit të Popullit është duke hetuar gjithashtu faktin se kryetari Hasani ka marrë pjesë në procedurën e këtij rasti, edhe pse ai ka pasur kontakte të ngushta me Bashkimin Evropian dhe Misionin EULEX, për të siguruar pikërisht atë vazhdim mandati që Avokati i Popullit po kontestonte.
Këto kontakte janë konfirmuar nga një memorandum i brendshëm i Misionit EULEX, i botuar në revistën Prishtina Insight, si dhe nga vetë kryetari Hasani në emisionin Betimi për Drejtësi. Me gjithë faktin se kishte këtë konflikt të qartë të interesit, kryetari Hasani, në vend që të përjashtonte veten nga procedura e Rastit KO155/14, e caktoi veten si anëtar të kolegjit shqyrtues.
Bazuar në këto fakte, Avokati i Popullit u ka drejtuar Presidentes Jahjaga, z. Zhbogar dhe z. Meucci, por edhe vetë kryetarit Hasani, një sërë pyetjesh për të mësuar natyrën, përmbajtjen, nivelin dhe kohëzgjatjen e kontakteve midis kryetarit Hasani dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe të Misionit EULEX.
Përveç kësaj, në letrat e tij, Avokati i Popullit është interesuar për të ditur nëse kryetari Hasani ka pasur kontakt, në çfarëdo kohe para publikimit të Aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në Rastin KO155/14, me Presidenten Jahjaga rreth vazhdimit të mandatit të tre gjyqtarëve ndërkombëtarë.
Presidentja Jahjaga ishte pala përgjegjëse në kontestimin e Avokatit të Popullit dhe ka qenë, sikurse edhe kryetari Hasani, palë në diskutime me Bashkimin Evropian dhe Misionin EULEX, sa i përket procedurës për vazhdimin e mandatit.
Si në të gjitha rastet, Avokati i Popullit u ka dhënë katër zyrtarëve përgjegjës të gjitha mundësitë, bazuar në ligj, për t’iu përgjigjur pyetjeve të tij në komunikimin e rregullt ndërinstitucional.
Madje, Presidentes Jahjaga dhe z. Zhbogar, Avokati i Popullit u është drejtuar tri herë me të njëjtat pyetje. Por të gjithë zyrtarët përgjegjës, ose kanë shpërfillur plotësisht letrat e dërguara nga Avokati i Popullit, ose kanë refuzuar, në mënyrë kategorike, t’u përgjigjen pyetjeve të tij. Ky dështim i plotë i bashkëpunimit, sipas Ligjit për Avokatin e Popullit, “konsiderohet pengim i punës së Avokatit të Popullit”.
Në rastin e kryetarit Hasani dhe Presidentes Jahjaga në veçanti, refuzimi kategorik për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit përbën shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila përcakton qartë se “Çdo organ, institucion ose autoritet tjetër, që ushtron pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, është i detyruar t’u përgjigjet kërkesave të Avokatit të Popullit dhe t’i paraqesë atij/asaj të gjitha dokumentet dhe informacionet e kërkuara në pajtim me ligj.”
Avokati i Popullit vëren se refuzimi i kryetarit Hasani për t’u përgjigjur në këtë rast, pason refuzimin e tij për t’u përgjigjur në pyetjet për fshehjen e përjashtimit të gjyqtarit Carolan nga procedura e Rastit KO155/14. Kjo shpërfillje e jashtëzakonshme e normave kushtetuese dhe ligjore nuk ka vend në institucionet e Republikës së Kosovës, aq më pak në një gjykatë, roli kryesor i së cilës është të ruajë vlerat themelore të një shoqërie demokratike.
Avokati i Popullit e konsideron po aq shqetësues faktin që Presidentja Jahjaga refuzon t’u përgjigjet jo vetëm pyetjeve rreth kontakteve të kryetarit Hasani me Bashkimin Evropian dhe Misionin EULEX, por edhe pyetjeve rreth kontakteve që Zyra e Presidentes mund të ketë pasur me kryetarin Hasani, ose gjatë bisedimeve me BE-në dhe EULEX-in ose në çfarëdo kohe tjetër, lidhur me vazhdimin e mandatit të gjyqtarëve ndërkombëtarë.
Ky refuzim kategorik për t’u përgjigjur shtron pyetjen: çfarë ose kush po shtyn Presidenten Jahjaga për të shkelur edhe Kushtetutën, në mënyrë që të fshehë faktet kyçe në këto hetime?
Refuzimi i kryetarit Hasani dhe Presidentes Jahjaga për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit paraqet konfirmimin e radhës të një realiteti shqetësues në vendin tonë: Sa më i lartë që është statusi i një zyrtari në hierarkinë shtetërore të Republikës së Kosovës, aq më i ulët është respekti që tregon për Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ky është rrënim i themeleve të shtetit ligjor.
- Advertisement -

MË TË FUNDIT