Avokati Taulant Hodaj dy shtete të treta, që kanë ofruar garanci për lirimin me kusht të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga paraburgimi mund të jenë Shqipëria e Turqia.

Mbrojtja e Hashim Thaçit, përmes një parashtrese drejtuar gjykatësit paraprak, ka bërë të ditur se dy shtete të treta kanë garantuar për lirimin e përkohshëm të tij në territoret e tyre, duke kërkuar lirimin e tij në një nga këto shtete.

Sipas kësaj shkrese, më 5 maj 2021, mbrojtja mori garancinë me shkrim të Qeverisë për lirimin e përkohshëm të Thaçit në territorin e saj, ndërsa thuhet se garanci tjetër me shkrim nga një Qeveri që nuk emërtohet u mor më 14 qershor 2021.

Mirëpo, sipas  avokatit, Taulant Hodaj gjasat për lirim me kusht nga paraburgimi janë të vogla. Ndërkaq, ai dha detaje për dy vendet e treta që kanë garantuar për lirimin me kusht të Thaçit.

Hodaj tha se gjasat më të mëdha për lirim me kusht të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë janë pas përfundimit të procedurës paraprake, pra pasi të përfundoj hetimi dhe të nis gjykimi.

“Tani për tani, mendoj se është vështirë të bindet gjykata që t’i lirojë sepse, kemi para angazhim tepër të madh të gjykatës e prokurorisë për t’i arrestuar ata e po ashtu praktikat e mëhershme. Marrë parasysh këto fakte në një të ardhme më të afërt nuk pritet, por kur të fillojë gjykimi i plotë mund të bëhet”, theksoi Hodaj.

Hodaj duke folur në lidhje me parashtresat e paraqitura nga mbrojtja e Thaçit, u shpreh se ka fakte interesante që mbrojtja i ka përdorur për të treguar seriozitetin e shteteve garantuese.

Sipas tij, dy shtetet që mund të kenë garantuar për lirimin e Thaçit, janë Shqipëria dhe Turqia.

“Në këto parashtresa gjinden dy fakte interesante, të dyja janë shtete anëtare të NATO-s, ndërkaq për njërin nga shtetet thotë se është shtet kontribuues në Gjykatën Speciale, që nënkuptohet se janë këto pesë vende, se përveç BE-së, shtete kontribuuese në Gjykatën Speciale janë: Kanada, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe SHBA-ja, ku njëri nga to ka dhënë garancë për lirimin e z.Thaçi, ndërkaq vendi tjetër, që mund të jetë e që besoj fuqishëm është Shqipëria”, deklaroi Hodaj në RTV Dukagjini.

Hodaj u shpreh se detajet shtesë kanë qenë arsyetimi i mbrojtjes, që është munduar ta bind gjyqtarin për seriozitetin e shteteve.

“Kanë thënë se shtetet janë anëtare të NATO-s për të treguar seriozitetin e tyre, për t’i bindur ata që është garancion serioz”, u shpreh Hodaj.

Hodaj tha se “Nuk ka ndonjë normë të drejtpërdrejtë që flet për një garancion nga një shtet i tretë për lirim me kusht nga masa e paraburgimit, por kjo nënkuptohet nëse i lexon të gjitha rregullat e procedurës dhe provave”.