Australi, masa të ashpra ndaj firmave që u shmangen taksave

Kreu i Thesarit në Australi, Joe Hockey, tha se qeveria do të prezantojë masa të ashpra fiskale kundër 30 korporatave shumëkombëshe. Pa i identifikuar ato, Hockey tha se korporata të mëdha po devijonin të ardhurat e fituara në Australi jashtë Australisë, në vende ku taksat janë të ulta.

Ai i cilësoi masat si të parat e kësaj natyre në botë. Legjislacioni do të prezantohet të marten, në Parlament. Hockey shtoi se ishte shumë e qartë se cilat kompani do të jenë në shënjestër. Firma të mëdha, si Google, Apple dhe Microsoft janë akuzuar se kanë zhvendosur përfitimet e tyre në vende me taksa më të ulta.

Me një fushatë të tillë, Australia i bashkohet Britanisë së Madhe në përpjekjen për të luftuar shmangien e taksave nga kompanitë e mëdha, edhe pse Hockey tha se legjislacioni i propozuar do të shkojë shumë më tej se taksat aktuale të Britanisë së Madhe. Masat e reja do të lejojnë zyrën e taksave në Australi të vendosin taksa edhe mbi fitimet e devijuara jashtë vendit.

Ligji pritet të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm, por me parë duhet të miratohet nga Parlamenti.

Një pjesë e madhe e të ardhurave të qeverisë australiane sigurohen nga firmat e minierave për produkte të tilla, si hekuri dhe qymyri. Por kreu i Thesarit tha muajin e kaluar se qeveria pësoi humbje prej miliarda dollarësh, pas rënies së çmimit të hekurit. Pavarësisht kësaj, qeveria mbetet e përkushtuar për arritjen e bilancit pozitiv.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT