Atifete Jahjaga po bëhet gati të formojë parti

sh-Presidentja Atifete Jahjaga është duke e konsideruar seriozisht idenë për të themeluar parti politike. Pjesë e kësaj nisme janë edhe disa prej njerëzve të saj që ishin në Presidencë. Emrat që po përmenden janë: Garentina Kraja, Adrian Prenkaj e Selim Selimi.

Atifete Jahjaga duket se nuk do të rri jashtë çdo nisme politike. Ajo tashmë është duke e konsideruar themelimin e një partie politike.

Burime të lajmi.net kanë thënë se Jahjaga s’është aspak e kënaqur me pozicionin aktual ku nuk po bën pjesë në çështje të rëndësishme për Shtetin. Për të ndryshuar këtë gjendje, Jahjaga po planifikon themelimin e një partie bashkë me bashkëpunëtorët e saj.

“Dy njerëzit që janë marrë me marrëdhëniet me publikun në Presidencë, Garentina Kraja e Adrian Prenkaj pritet të jenë pjesë e kësaj nisme”, ka thënë një zyrtar i afërt me Jahjagën për lajmi.net.

“Edhe këshilltari ligjor i Jahjagës, Selim Selimi është në planet e Jahjagës”, ka shtuar ai.

Atifete Jahjaga ishte presidente e Kosovës prej prillit të vitit 2011 deri më 2016, kur pozitën e saj e mori Hashim Thaçi.

Ajo erdhi në këtë pozitë nga policia e Kosovës pas një marrëveshje të tri partive politike PDK, LDK dhe AKR.

Jahjaga gjatë mandatit të saj ka pasur mbështetje të pa rezervë nga SHBA-të, por nuk është se është shquar për ndonjë punë të suksesshme, përveç njërës, në ngritjen e zërit për të dhunuarat e luftës.