Asnjë zgjidhje për refugjatët, Evropa drejt dështimit, mijëra njerëz të kërcënuar nga dimri, sëmundjet, prostitucioni …

Moti i ftohtë po vjen në Evropë me shpejtësi më të madhe sesa vendimmarrja e liderëve të unionit për të marrë vendime kritike. Stina e dimrit po kërcënon akoma edhe më tepër kushtet e vështira të refugjatëve sirianë, të cilët kanë mbërritur në Evropë apo tentojnë të arrijnë kontinentin. Shifrat e fundit të OKB-së që treguan se  218,000 persona kaluan detin Mesdhe muajin e kaluar, konfirmojnë frikën se fundi i muajve të nxehtë nuk do ta ndalë rrjedhën e refugjatëve. Shkak i këtij eksodi të pa fre është dëshpërimi absolut nga përshkallëzimi i luftës në Lindjen e Mesme.

Shifrat e mëdha të refugjateve që mbërrijnë në Evropë vazhdojnë, ndërkohë që nga ana tjetër rritet edhe frika për një krizë të re humanitare. Samiti evropian, ku pjesë e të cilit ishin edhe përfaqësues nga vendet e Ballkanit, mori vendime për strehimin e 10 mijë refugjatëve dhe masa shtesë për policinë. Por regjistrimi i tyre, merr ditë, ndoshta edhe javë.

Nga ana tjetër mijëra të tjerë që presin, e gjejnë veten të bllokuar nga ngricat. Hipotermia, pneumonia dhe sëmundjet te tjera janë kërcënimet kryesore tani. Po ashtu disa media ndërkombëtare raportojnë për rrezikun e abuzimeve seksuale, teksa sipas tyre trafikantët e prostitucionit ndjekin kolonat e refugjatëve, duke pikasur të reja të pashoqëruar.

“Ekziston rreziku i kolapsit”, tha Federica Mogherini, shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, duke shtuar se kur përballesh me një sfidë ndërkohë që mungojnë instrumentet për ta përballuar, atëherë rrezikohet edhe dështimi. Në këtë gjendje të rënduar, agjencia e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, së bashku me disa organizata të tjera humanitare, kanë shpërndarë tenda, batanije, dhe veshmbathje për të pastrehët, por numri i refugjatëve që mund të ndihmojnë kufizohet nga fondet e tyre.

Evropa e ka gjetur veten të pa përgatitur për të përballuar eksodin e refugjatëve dhe improvizimet apo mekanizmat e reja po hartohen në mënyrë që ajo mund të përgjigjet kolektivisht si union, dhe jo si kombe të veçanta. Megjithatë duket se kjo përpjekje është një garë kundër kohës, një sfidë të cilën Evropa nuk e ka fitoren të garantuar. /sot-news/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT