Rënia e flokëve është një ndër problematikat e shpeshta që hasim gjatë përditshmërisë. Nëse rënia e flokëve vazhdon për një kohë të gjatë dhe me intensitet të lartë, duhet mepatjetër të kërkohet ndihma e specializuar mjekësore në evidentimin e shkakut që çon në rënien e flokëve, çka lejon edhe përcaktimin e trajtimit që duhet të ndiqet.

Mjekja Ilda Xhelili tregon për “Dita”, arsyet më të shpeshta që ndikojnë në rënien e flokëve tek femrat, duke specifikuar edhe rastet në të cilat duhet të bëhet më shumë kujdes.

Sipas saj, njohja e faktorëve që çon në rënien e flokëve është pikënisja më e mirë e trajtimit të këtij problem. Në vijim të shkrimit gjeni të plota këshillat që duhet të ndiqni në çdo rast.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të rënies së flokëve te femrat?

Humbja e flokëve është një fenomen mjaft i zakonshëm, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Duhet të theksojmë se humbja e flokëve nuk është kërcënuese për jetën, edhe pse mund të ketë efekte të rënda psikologjike, veçanërisht për gratë.

Në përgjithësi, rënia e flokëve nuk është simptomë e ndonjë sëmundjeje. Megjithatë, ka shumë situata shëndetësore dhe medikamente që e shkaktojnë, ose e favorizojnë këtë problem. Edhe pse fenomeni i rënies së flokëve është më i njohur për meshkujt, duhet të themi se rreth 40 për qind e femrave ndeshen gjatë jetës së tyre me problemin e rënies së flokëve.

Flokët përcjellin mesazhe për stilin dhe personalitetin tonë dhe janë një nga gjërat e para që njerëzit vënë re kur i takojmë. Kujdesi për flokët tek gratë zë një vend të rëndësishëm, veçanërisht kur janë në moshë.

Disa gra fillojnë të përjetojnë humbjen e flokëve teksa plaken, veçanërisht gjatë menopauzës. Kjo mund të bëhet shqetësuese dhe të ndikojë në nënvlerësim të vetes. Në ditët e sotme, fatmirësisht ka shumë strategji dhe trajtime për të menaxhuar humbjen e flokëve te gratë.

 Si rriten flokët?

Flokët rriten nga një zonë e quajtur rrënjë. Enët e gjaku ushqejnë rrënjen, duke lejuar që flokët të rriten. Flokët rriten në drejtim të lëkurës së kokës duke kaluar nëpërmjet gjëndrave yndyrore.  Ato rriten rreth 1.2 cm çdo muaj dhe qëndrojnë në kokë për 2, deri në 6 vjet. Përpara se flokët të bien, ato pezullojnë rritjen për një farë kohe dhe kjo fazë pushimi quhet “faza telogjenike“. Pastaj cikli fillon nga e para.

Cilët janë shkaktarët me të shpeshtë të rënies së flokëve tek gratë?

Flokët bien shpesh tek gratë pas lindjes së fëmijëve sepse niveli i hormoneve me bazë estrogjenet ulet shumë në këtë periudhë. Por, kjo është një periudhë kalimtare dhe gjendja rikuperohet plotësisht brenda një periudhe dy vjeçare.

Kujdes duhet të tregojnë gratë që përdorin pilulat hormonale për kontrollin e lindjeve, pasi ato mund të shfaqin si efekt anësor rënien e flokëve. Po ashtu, kujdes duhet të kenë në këto raste veçanërisht gratë që kanë në familjen e tyre histori të rënies së flokëve. Rënia e flokëve mund të shfaqet jo vetëm gjatë kohës së marrjes së pilulave, por edhe në momentin e ndërprerjes së tyre.

A ndikojnë dietat në rënien e flokëve?

Mjaft të rrezikshme për humbjen e flokëve rezultojnë dietat drastike për humbjen në peshë, të cilat gratë janë më të prirura t’i aplikojnë.

Është mjaft e rëndësishmë të mbahet një plan i shëndetshem dhe i ekuilibruar ushqimi, frutat e freskëta, perimet, mishi i peshkut, mishrat e shpendëve i japin trupit yndyrnat, proteinat, karbohidratet, vitaminat dhe mineralet që i nevojiten për të mbajtur një trup të shëndetshëm, por edhe flokë të shëndetshëm gjithashtu.

Si faktor tjetër dëmtues mund të përmendim stilimet e ndryshme të flokëve që janë një trend në rritje në ditët e sotme. Solucionet e ndryshme që përdoren (kimikate), si edhe tërheqjet e vazhdueshme që aplikohen mund të çojnë në humbje të përhershme të flokëve.

Po trajtimet që ndiqen për sëmundje të caktuara a ndikojnë në rënien e flokëve?

Një nxitës i fuqishëm i rënies së flokëve është edhe trajtimi i kancerit me kimioterapi dhe rrezatim (radioterapi). Të dyja llojet e terpaive, përveç vrasjes së qelizave të kancerit dëmtojnë edhe rrënjët e flokëve.

Njerëzit që i nënshtrohen trajtimit të kancerit shpesh përjetojnë humbje dramatike të flokëve. Ata mund të zgjohen me grumbuj flokësh në jastëk, ose mund të humbasin sasi të mëdha flokësh në dush. Humbja e flokëve në këto raste shpesh fillon brenda dy javëve nga fillimi i trajtimit. Por pas ndërprerjes së mjekimit flokët dalin përsëri.

Po stresi a bëhet shkak për rënien e flokëve?

Një faktor tjetër që nxit rënien e flokëve jo vetëm për femrat, por edhe për meshkujt është stresi i fuqishëm emocional. Kjo mund të ndodhë gjatë mërzitjeve të rënda (për shembull humbja e një njeriu të dashur), gjatë sezonit të provimeve të vështira, pas sëmundjeve të rënda, operacioneve, etj. Kjo periudhë mund të zgjasë 6 deri në 8 muaj pas zgjidhjes së situatës.

Një formë e shpeshtë e rënies së flokëve për të dyja gjinitë është “alopecia areata” me të cilën kuptojmë rënen e flokëve në formë pullash në zona të ndryshme të kokës. Kjo është një gjendje autoimune në të cilën sistemi imunitar sulmon dhe shkatërron rrënjët e flokëve.

Kjo mund të shfaqet në mënyrë të papritur. Gjendja mund të trajtohet me preparate kortizonike, antiinflamatore, ose imunosupresore. Njerëzit e prekur nga “alopecia areata” vuajnë më tepër nga alergjitë, astma bronkiale dhe kushte të tjera autoimune në krahasim me ata që nuk e kanë këtë gjendje.

Sa të rrezikshme janë infeksionet mykotike të lëkurës në këto raste?

Mjaft të shpeshta janë dhe infeksionet mykotike të lëkurës që shkaktojnë rënien e flokëve. Infeksioni (tinea capitis) fillon si një puçër e vogël që rritet. Ajo është e kuqe, kruhet dhe lëkura luspëzohet, por edhe mund të rrjedhë një lëng transparent.

Kjo gjendje ëshë ngjitëse gjatë kontaktit me lëkurën. Ajo mund të transmetohet nëpërmjet krëhërit të infektuar, tharëses së flokëve, veshjeve të palara, sipërfaqeve në palestra, dushe dhe pishina. Kjo formë trajtohet me preparate antimykotikë nga mjeku specialist i lëkurës.

Si trajtohet ky fenomen?

Sigurisht që në themel të trajtimit qëndron zbulimi i shkakut, i cili jo gjithmonë është i mundur. Kortizonikët ndihmojnë në shtypjen e përgjigjes imune që dëmton rrënjët e flokëve, antimykotikët luftojnë infeksionet mykotike. Shumë probleme shëndetësore si: anemia, çrregullimet e funksionit të gjendrave tiroide mund të shkaktojnë rënien e flokëve.

Prandaj trajtimi adekuat i këtyre kushteve në bashkëpunim me mjekët specialistë përkatës mund të çojë në rikthimin e rritjes së flokëve. Nëse në themel të rënies së flokëve qëndrojnë mangësitë ushqyese, atëherë duhet të tregohet kujdes për një dietë të shëndetshme që mund të ndihmojë në rikthimin e rritjes së flokëve.

Sa ndihmon terapia me lazer?

Në rigjenerimin e flokëve mund të ndihmojë edhe terapia me lazer. Por, nuk ka të dhëna për sigurinë dhe efikasitetin afatgjatë të kësaj terapie. Sipas statistikave, terapia me lazer mund të jetë efektive për rreth 50 për qind të meshkujve mbi moshën 40 vjeç dhe rreth 75 për qind të grave mbi moshën 65 vjeç që vuajnë nga lloje të caktuara të humbjes së flokëve.

Në kohët e sotme ka gjetur përdorim edhe transplanti i flokëve që përfaqëson një procedurë të lehtë kirurgjikale. Pacientët mund të kenë nevojë për seanca të shumta për të arritur rezultatet e dëshiruara.

Një kujdes i veçantë duhet treguar për produktet që përdorni për larjen dhe stilimin e flokëve pasi marketingu është shumë i fuqishëm. Është mirë që kur keni probleme me flokët, t’i konsultoni këto produkte para përdorimit edhe me mjekun dermatolog.

Kujdes!

Një faktor tjetër që nxit rënien e flokëve jo vetëm për femrat, por edhe për meshkujt është stresi i fuqishëm emocional. Kjo mund të ndodhë gjatë mërzitjeve të rënda (për shembull humbja e një njeriu të dashur), gjatë sezonit të provimeve të vështira, pas sëmundjeve të rënda, operacioneve, etj. Kjo periudhë mund të zgjasë 6 deri në 8 muaj pas zgjidhjes së situatës.

p.k/dita