Arrin në Kosovë zëvendësi i ambasadorit Cliff

Më 10 prill në Kosovë ka arritur Ruairi O’Connell, i cili zëvendëson ambasadorin e deritashëm britanik, Ian Cameron Cliff.

O’Connell i ishte bashkuar Zyrës së Jashtme dhe të Commonwealthit më 2001, dhe ka punuar në një varg çështjesh gjatë karrierës së tij, i fokusuar në çështjen e sigurisë evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik.

“Ai më parë kishte shërbyer në Kosovë, gjatë rrugës që ka çuar deri në pavarësi”, thuhet në njoftimin e Ambasadës britanike.

Për emërimin e tij për të shërbyer në Kosovë, O’Connell tha se është “i nderuar dhe shumë i kënaqur të emërohet si Ambasador Britanik në Republikën e Kosovës” dhe ka shtuar se “gjatë historisë së vështirë aktuale, Britania dhe Kosova kanë zhvilluar marrëdhënie të fuqishme dhe të qëndrueshme”.

Më tutje, ai ka theksuar se më gëzim pret që të punoj përsëri me “miqtë e vjetër dhe të rinjë nga të gjitha komunitetet e Kosovës, për të ndërtuar lidhje të fuqishme ndërmjet popujve tanë dhe për ta mbështetur Kosovën në rrugën e integrimit evropian”.

Ruairi O’Connell e fillon punën më 14 prill, pas takimit me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT