Gjykata e Apelit, e ka konfirmuar aktakuzën për sulm seksual, ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministrit në Qeverinë e Haradinajt, Numan Baliq, për të cilin rast pati raportuar IndeksOnline.

Lajmin e ka konfirmuar gjyqtari i çështjes, Shaqë Curri.

Gjykata Themelore e Pejës, në nëntor të këtij viti, e kishte refuzuar kërkesën për hedhje të aktakuzës të parashtruar nga mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Aurora Mulhaxha, me ç’ rast kundër këtij vendimi të njëjtit kishin parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës, më 29 shtator 2020 nga Prokuroria Themelore e Pejës, Numan Baliq akuzohet se më 12 gusht 2020, rreth orës 22:00, në Spitalin e Përgjithshëm në Pejë, pikërisht në zyrën e tij, me dashje e në cilësi të profesionistit shëndetësor, duke keqpërdor gjendjen shëndetësore të viktimës A.I, e cyt atë që ta prekte me qëllim seksual pa pëlqimin e saj, përderisa ajo në natën kritike, e dëmtuara, ishte nënë dhe shoqëruese e fëmijës 6 muajsh, e shtruar në spital në dhomën numër 5, në Repartin e Ortopedisë në spitalin e lartcekur.

Në bazë të këtij dispozitivi përderisa foshnja e viktimës ishte duke u trajtuar për shkak të dëmtimeve në ekstremitete, aty vjen i pandehuri, i cili në cilësi të mjekut -kirurg kujdestar, edhe pse nuk punon në atë repart, shkon kinse për ta vizituar foshnjën e viktimës dhe më pas del dhe e fton të dëmtuarën që të shkonte në zyrën e kujdestarisë së tij, për t’u konsultuar dhe kinse për udhëzuar dhe për t’ia siguruar aparaturën e nevojshme dhe e dëmtuara duke mos e njohur, por duke e parë të veshur me uniformë mjekësore, shkon pas tij dhe sapo afrohet te dera e zyrës së kujdestarisë, i pandehuri e kap për dore të djathtë dhe e fut brenda viktimën, e mbyll derën me çelës dhe e ndal rrymën si edhe e mbështet të dëmtuarën te muri ku më pas i kërkon asaj ta prekte dhe tenton ta puthte në qafë duke i thënë ‘‘a ki nevojë për diçka’’, por viktima largohet, ndërsa i pandehuri e kap përsëri dhe e shtrëngon në dorë, pastaj e dëmtuara arrin ta shtynte nga vetja, ta hapte derën dhe të largohej, me ç’ rast kthehet në dhomën numër 5, dhe nga dritarja kërkon ndihmë te roja e sigurimit. Më pas e raporton rastin në polici.

Andaj për këto veprime, Numan Baliqi akuzohet për veprën penale ‘‘Sulm seksual’’, nga neni 229, paragrafi 3, nën paragrafi 3.10, pika 3.10.3, lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.