Apeli i krerëve të besimit islam të rajonit: Myslimanët, kundër terrorit (Video)

Në një kohë kur e gjithë Europa, përfshirë Kosovën, ka rritur alarmin e sigurisë, udhëheqësit fetarë të besimit islam nga Kosova, Shqipëria e Maqedonia rreshtohen edhe njëherë kundër sulmeve terroriste, duke i cilësuar krime, ato që marrin jetë njerëzish të pafajshëm.

Përfaqësues të bashkësive islame nga të gjitha shtetet e rajonit u bashkuan me këtë këshillë, në ceremoninë e promovimit të veprës së myftiut të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, me titullin “Ligjërime për fenë e atdheun”.

“Kohët e sotme po përjetojmë një periudhë krizash të padëgjuara. Nga njëra anë janë ata, që janë orientuar drejt dhunës, vdekjes e shkatërrimit, gjoja me motivim fetar; dhe nga ana tjetër njerëzit që po i vuajnë këto akte. Myslimanët i kanë dënuar dhe vazhdojnë t’i dënojnë aktet e dhunës dhe të terrorit kudo që ndodhin. Jeta e njeriut është e shenjtë, e paprekshme dhe askush nuk ka të drejtë, që në emër të një ideologjie të marrë jetën e njerëzve të pafajshëm. Ky është një krim që i bëhet të gjithë njerëzimit”, tha Skënder Bruçaj, kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Në një deklaratë për Top Channel, myftiu i BIK-ut, Naim Tërnava komentoi faktin se shtetasit kosovarë vazhdojnë t’i bashkohen luftës në Siri dhe Irak. Ai bëri një thirrje, drejtuar të gjithë atyre që kanë shkuar atje, që të kthehen; ndërsa të tjerëve, që të mos nisen, pasi rruga për në Siri – siç tha Tërnava, – është kundër normave të besimit islam.

“Ajo nuk është një luftë e shenjtë, por kundër Islamit. Ndaj këtyre terroristëve dhe kriminelëve, jemi të shtyrë edhe nga vet Kurani e thëniet e Muhamedit, që të ngremë zërin në vazhdimësi dhe t’i luftojmë. Të mundohemi t’ua shpjegojmë edhe të rinjve tanë, disa prej të cilëve janë mashtruar. Kombi shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët me ato luftëra vëllavrasëse, të cilat po ndodhin në Irak dhe Siri, ndaj ata që kanë shkuar i ftoj të kthehen dhe askush të mos e marrë atë rrrugë pa krye. Rrugë, e cila është në kundërshtim me normat islame”, tha Naim Tërnava, myfti i Bashkësisë Islame të Kosovës.

“Natyrisht, kësaj propagande në rajon më së shumti i fryu politika zyrtare serbe, e cila edhe më tej mundohet të shpifë mbi shqiptarët dhe Islamin përgjithësisht”, tha Shaqir Fetahu, myfti i Gostivarit.

Vepra e Naim Tërnavës, “Ligjërime për fenë e atdheun”, siç u tha në këtë ceremoni promovimi qartëson vizionin, që duhet ndjekur nga besimtarët myslimanë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT