Anulohet një fluturim nga Prishtina drejt Stambollit, ja çfarë thonë në Aeroport

Një fluturim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) për në Turqi, i planifikuar për sonte, është anuluar, kanë konfirmuar zyrtarët e Aeroportit.

Përfaqësues të agjencive turistike që operojnë në Aeroport iu kanë thënë udhëtarëve se anulimi/shtyrja po ndodh nga frika e hakmarrjes së Rusisë, pasi një aeroplan i saj ushtarak u qëllua dhe rrëzua sot nga forcat turke në afërsi të kufirit me Sirinë.

Por, shpjegimi zyrtar i zyrtarëve të Aeroportit të Prishtinës është se shtyrja ka ardhur si pasojë e motit të keq.

Velentina Gara, menaxhere për Marrëdhënie me Publikun, konfirmoi për Ekonomia Online se fluturimi drejt Stambollit, i planifikuar për në orën 20:40, është anuluar.

“Fluturimi është shtyrë shkaku i kushteve të këqija të motit në destinacion”, tha Gara.

Por, sipas sajtit “Accuëeather.com”, moti në Stamboll të martën në mbrëmje ka qenë me vranësira të lehta, që nuk paraqet problem për aterrimin e aeroplanëve.

Sipas zëdhënëses së ANP’së, fluturimet do të vazhdojnë normalisht nga e mërkura.

Turqia ka bërë të ditur se avionët e saj luftarakë kanë rrëzuar sot një aeroplan luftarak rus, pranë kufirit me Turqinë, pasi e paralajmëruan disa herë për shkelje të hapësirës së saj ajrore. Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë se kjo është një “thikë në shpinë” nga Turqia, duke paralajmëruar pasoja të rënda për marrëdhëniet dypalëshe.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT