Anton Quni me thirrje vëllaznore: Ramush, eja të kuvendojmë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, përmes një postimi në Facebook, i është drejtuar liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt, me një kërkesë që të mbledhë shokët dhe të ulen e të kuvendojnë për ta zgjidhur krizën politike.

Quni i kërkon Haradinajt që të ulen e të kuvendojnë si dikur, në kohëra të vështira e lufte.

“Ramush, mblidhi shokt e ejani t’kuvendojm’ aty ku e kishim t’ndalueme, dhe ku kem’ andrrue me kuvendue: n’Kuvendin e Kosovës!”, ka shkruar Quni, transmeton Telegrafi

Lexojeni të plotë postimin e Qunit në Facebook:

“Ramush, eja t’kuvendojm’
Ramush, t’kujtohen kohnat kur kuvendojshim n’oda, n’familje, n’shoqata, n’klube, e qe besa edhe n’male, e n’bejshk’. N’ato kohna kemi andrrue ushtrin’ ton’, gjyqet tona, qeverin’, Kuvendin, kemi andrrue shtetin ton’.
Ka do vjet i kemi shumicën, e tjera jemi tuj i krijue. Mundet që nuk jan’ ashtu qysh i kem’ andrrue, pra munden m’u kan’ ma t’mira, po jan’ tonat.
Do gjana nuk na shkuen qysh kem’ andrrue, po duhet me u ul burrash e me pa se çka nuk ka shkue si duhet. Pra, asht’ koha t’kuvendojm’ prap’. Asht’ koha me t’ngue, por edhe me m’ngue, e m’i ngue edhe tjer’t. Po me ngue pa tim, pa fishk’llye, dhe pa than gjith’ ato fjal’ t’rana. Jam besimplot se kem’ me u kuptue mir’ me njani-tjetrin. Qysh jem’ kuptue n’okupim e n’luft’, duhet me u kuptue edhe n’paqe.
Po njashtu, jam besimplot se tuj kuvendue burrash, mujna me e gjet pikën e pajtimit.
Ramush, na presin edhe shum’ pun’ me i krye, aq shum’ jan’ sa nuk mundet askush vet me i krye.
Na i duh’mi njani-tjetrit! Na i duh’mi Kosovës!
E kem’ bekimin e popullit me kuvendue aty ku asht’ vendi.: n’Kuvend t’Kosovës. Veç aty kem’ mund’si me krijue forc’, dhe me arrit fitore. Masandej kem’ mund’si me e dhes nga nji cigare, e me e çue nga nji got’ raki, e qe besa edhe me k’ndue, njashtu qysh e kem’ tradit me ju gzue fitoreve tona.
Ramush, mblidhi shokt e ejani t’kuvendojm’ aty ku e kishim t’ndalueme, dhe ku kem’ andrrue me kuvendue: n’Kuvendin e Kosovës!
Vllaznisht, Antoni!”
, (sic.), ka shkruar Quni, i cili postimit në Facebook ia ka bashkangjitur një foto me Ramush Haradinajn si luftëtarë të UÇK-së. /Telegrafi/

- Advertisement -

MË TË FUNDIT