Ansambli i Këngëve dhe Valleve të Mitrovicës fitues i çmimit të parë në Festivalin mbarëkombëtar “Këngë e valle për Çamërinë”

 

Ansambli Artistik i Këngëve dhe Valleve i qytetit të Mitrovicës është shpallur fitues i çmimit të parë në Festivalin mbarëkombëtar  “Këngë e valle për Çamërinë”, që u mbajt me 27, 28 dhe 29 qershor në Sarandë, ku kanë marrë pjesë mbi 20 ansamble dhe grupe nga të gjitha trojet etnike shqiptare.

Kryetari i Këshillit të ansamblit, Nexhat Halili, tha se ky është suksesi i radhës i këtij ansambli, pas prezantimit të suksesshëm që ka reflektuar po ashtu me vendin e  parë në festivalin që u mbajt para disa jave në Bajram Curr.

“Ansambli ka arritur këtë sukses falë prezantimit të mirë në festivalin që u mbajt në Sarandë, ku jemi prezantuar me tri këngë dhe tri valle,  të cilat janë mirëpritur dhe duartrokitur  gjatë nga të pranishmit”, tha Halili.

Ai shtoj se “Ansambli i qytetit të Mitrovicës, në këtë festival është paraqitur tri mbrëmje  radhazi. Mbrëmjen  e parë jemi paraqit si fitues të festivalit të mbajtur në qytetin e Bajram Currit, në natën e dytë si pjesë e garës, ndërkaq në natën e fundit si paraqitja më e mirë, ku ishin të pranishëm personalitete të kulturës dhe pushtetit në Sarandë”, tha ai.

Doajenja e këngës, mitrovicasja Ganimete Asllani, e cila është pjesë e Këshillit të ansamblit, tha se ansambli ka pasur një performancë e cila është vlerësuar lartë nga njohësit e këngës dhe valleve, që i hap rrugën edhe për ftesa për pjesëmarrje të tjera, ndërkohë që sukseset e fundit janë nxitje dhe vullnet për angazhim dhe punë edhe në të ardhmen.

Në festivalin e fundit në Sarandë, ansambli mitrovicas është paraqitur me tri këngë kushtuar Isa Boletinit dhe flamurit, interpretuar nga Ganimete Asllani, Nexhat Halili,  Skender  e Zenel Hajdari dhe Vlora Ibrahimi, si dhe me tri valle: vallen njëshe me motive nga Shala e Bajgorës, luajtur nga Vehbi Peci, vallen-suitë dhe “tablonë  koreografike” luajtur  nga anëtarët e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve të Qytetit.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT