Tifozëve anglezë nuk u është dashur shumë kohë për të rënë në dashuri me Kosovën, aq shumë saqë njëri prej tyre po mendon seriozisht ta braktisë atdheun e vet, Anglinë, për vendin ballkanik.

I tillë është Chris Jones nga Crewe në kontin e Cheshire, i cili për Gazetën Express ka rrëfyer për mbresat e para që ia ka lënë Kosova gjatë vizitës së tij të parë në Prishtinë, për ta parë ndeshjen me Anglinë në stadiumin Fadil Vokrri.

Jones, një tifoz i zjarrtë dhe i rregullt në ndeshjet e Kombëtares së “Tre luanëve” edhe jashtë vendit, nuk mund të besojë sesa mikpritës janë kosovarët, vendi të cilin Anglia e viziton për herë të parë në histori të vet, me qëllim për ta përmbyllur fushatën e saj kualifikuese për Euro 2020 si fituese e Grupit A dhe me pjesëmarrjen në garën e verës tashmë të konfirmuar.

Chris Jones në Sheshin “Ibrahim Rugova” në qendër të Prishtinës, duke pozuar me flamurin e Kosovës, kundërshtarin e sotëm të Kombëtares së tij, Anglisë
“Unë mbërrita në Kosovë të shtunën në mëngjes. Gjëja e parë që e vërejta ishin mesazhet mirëseardhëse për Anglinë në aeroport. Diçka shumë ndryshe”, tha Jones i pyetur për përshtypjet e tij të para për Kosovën.

Kosova dështoi të enjten e kaluar që përmes rrugës tradicionale ta sigurojë pjesëmarrjen në Kampionatin Evropian në përpjekjen e parë, pas humbjes 2:1 kundër Republikës së Çekisë në Plzen. Verdhekaltrit ia lanë fatit në dorë kualifikimin në Euro 2020 përmes mundësisë së tyre, play-offit të Ligës së Kombeve.

Por Jones është i mahnitur me futbollit që luan skuadra e Bernard Challandes dhe nënvizon trimërinë dhe vetëbesimin me të cilin djelmoshat dardanë luajnë.

I pyetur nga Express se çfarë mendon për ekipin kombëtar më të ri në Evropë, Jones tha: “E kam parë paksa. E shikova ndeshjen me Anglinë dhe më la mbresa. Ata luajtën futboll shumë të mirë dhe pa frikë. I shkaktuan Anglisë probleme serioze”.

Ai pa ngurrim e thotë se Kosova është vendi më i mirë që e ka vizituar, aq i mirë dhe me njerëz aq miqësorë dhe mikpritëse saqë e bën atë të dëshirojë të jetojë në Prishtinë përgjithmonë.

Chris Jones në Sheshin “Ibrahim Rugova” në qendër të Prishtinës, duke pozuar me flamurin e Kosovës, kundërshtarin e sotëm të Kombëtares së tij, Anglisë

“Mikpritja më bën që të mos dëshiroj të kthehem më në shtëpi. Të gjithë këtu janë shumë miqësorë dhe mikpritës. (Kosova) është vendi më i mirë që kam qenë”, shtoi ai.

“Po kaloj kohë të bukur këtu. Mund të shohësh dhe të bësh shumë gjëra këtu”, përfundoi ai. /Gazeta Express/