“Anëtarësimi urgjent i Kosovës në NATO”, çfarë pret e çfarë kërkon nga Qeveria Agim Çeku?

Agim Çeku beson se Kosova mund të anëtarësohet në NATO përmes një procedure të përshpejtuar, pasi thotë se “situata është e tillë”. Kërkesa për anëtarësim duhet të përmbajë argumente të fuqishme. Ekipit të formuar nga Qeveria për t’u marrë me këtë çështje, Çeku thotë se do të mund t’i shtoheshin edhe disa anëtarë, por thekson se megjithatë përbërja e grupit punues të prezantuar sot nga Qeveria “është e qëlluar”.

Ish-komandanti i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjenerali Agim Çeku e ka mirëpritur vendimin e Qeverisë për themelimin e një grupi punues ndërinstitucional për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Ai i tha Gazetës Express se ka pritur që kjo të ndodhë në mënyrë që vendi të përpiqet të anëtarësohet shpejt në aleancën më të madhe ushtarake në botë.

“Unë mendoj që mundet Kosova të anëtarësohet në NATO përmes një procedure të përshpejtuar). Situata është e tillë. Edhe NATO është e interesuar të marrë parasysh çdo gjë që është në funksion të paqes dhe stabilitetit në Europë. Dhe padyshim që anëtarësimi i Kosovës në NATO është drejtpërdrejt në funksion dhe në shërbim të stabilitetit afatgjatë në Europë. Në Ballkan sidomos. Kështu që unë e përshëndes këtë vendim. E kam pritë që do të merret ky vendim”, tha Çeku.

Kërkesa për anëtarësim duhet të jetë e parefuzueshme, thotë ai.

“Me siguri që kërkesa duhet të përcillet me një arsyetim të fuqishëm dhe më vjen mirë që është një grup – besoj që është profesional – që dinë të shkruajnë argumente që s’mund t’i refuzojë askush”, tha ai.

Çeku, i cili e kishte udhëhequr edhe TMK-në e FSK-në pas luftës, thotë se do të kishte qenë mirë po të përfshihej edhe ndonjë ushtarak në grupin punues të Qeverisë. Për shembull, ai përmend mundësinë e angazhimit të gjeneralit Ëesley Clark, ish-komandant suprem i Forcave të Bashkuara të NATO-s për Europën.

“Po, kjo përbërje është e qëlluar. Po, ish dashtë [të kishte edhe ushtarakë në përbërje]. Por është mirë që integrimin në NATO e udhëheq Ministria e Punëve të Jashtme. Kjo është e qëlluar. Nuk është çështje e vetëm një ministrie, por rolin udhëheqës duhet ta ketë MPJ. Kishte me qenë mirë po të ishte edhe ndonjë mik ndërkombëtar, ky grup do të ishte edhe më kredibil po të kishim pasë ndonjë gjeneral, p.sh. gjeneralin Clark apo ndonjë gjeneral që ka përvojë në NATO”, tha ai.

Çeku përmendi se ka “shumë gjeneralë që janë pjesë e NATO-s e që sot janë në pension”.

“Do të kishim mundur t’i angazhojmë edhe disa gjeneralë që kanë punuar gjatë në NATO dhe e njohin Kosovën mirë”.

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, tha në mbledhjen e sotme të Qeverisë se anëtarësimi i vendit në NATO është çështje urgjente, ndërsa prezantoi përbërjen e grupit që do të merret me këtë.

“Përbërja e grupit punues ndërinstitucional për integrimin e Republikës së Kosovës në NATO propozohet të jetë kjo: Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës si kryesuese; ministri i Mbrojtjes anëtar; ministri i Punëve të Brendshme si anëtar; ministrja e Drejtësisë si anëtare; një përfaqësues i lartë nga Zyra e Presidentes si anëtar; një përfaqësues i lartë nga Zyra e Kryeministrit; përfaqësuesi i Republikës së Kosovës për marrëdhëniet me NATO-n nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Bruksel si anëtar; ambasadori i Republikës së Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu si anëtar”, tha Gërvalla.

Ky grup do të angazhohet për intensifikimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke synuar përfshirjen sa më të shpejtë të vendit në partneritetin për paqe, anëtarësimin në Kartën e Adriatikut A5, si dhe avansimin e pranisë së Kosovës në organizata dhe mekanizma tjerë rajonal të sigurisë.

- Advertisement -

MË TË FUNDIT